“Skema e re e ndihmës ekonomike shënjestron varfërinë, por vizioni i qeverisë është punësimi dhe aftësimi profesional, pasi kjo nuk është një skemë që të nxjerr nga varfëria, por e zbut atë”.
Kështu deklaroi të enjten në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila bëri një historik të situatës së shtresave në nevojë në qeverisjen e Partisë Demokratike dhe u ndal te vizioni i kësaj qeverie për trajtimin e varfërisë.
“Skema e ndihmës ekonomike nuk të nxjerr nga varfëria, por zbut varfërinë dhe është një skemë e përkohshme mbulimi për ata që kanë më shumë nevojë në një moment të caktuar të jetës.
Alternativa jonë është punësimi dhe aftësimi profesional”, tha Manastirliu.
Suksesi i një qeverie , sipas saj, “varet jo te fakti se sa persona futen në skemën e ndihmës ekonomike, por sa familje dalin prej saj”.“BB nuk ka thënë kurrë që 70 për qind e atyre që meritojnë ndihmën ekonomike janë të përjashtuar, por ka reaguar në 6 mars, ku flet mbi të pavërtetat mediatike për ndihmën ekonomike”, tha ajo.
Opozita sulmon reformën më të rëndësishme, mbron abuzuesit.
Opozita për fat të keq po sulmon reformën më të rëndësishme për sistemin e mbrotjes sociale, vijoi Manastirliu, duke shtuar se kjo ishte një reformë që opozita e nisi vetë në 2012, pas sugjerimit të BB-së por nuk pati kurajon ta bënte më pas.
“Opozita bëri vetëm një hap, atë të dërgimit në parlament ku u miratua me shumicë votash dhe një vendim qeverie ku miratoi kritere dhe variabla dhe pastaj e futi në sirtar”, tha ministrja.
Sipas saj “opozita po mbron sistemin e 23 mijë abuzuesve, që përfitonin në kurriz të atyre që kishin nevojë për bukën e gojës.
“Ata që e njohin mirë skemën e vjetër kanë frikë, pasi paratë e ndihmës ekonomike përdoreshin për të blerë vota dhe nuk është rastësi që shumëfishoheshin përfituesit pak para zgjedhjeve, por filozofia juaj e mbajtjes peng të familjeve të varfra ka marr fund sot. Sistemi elektronik nuk lejon që të abuzohet me fondet e ndihmës ekonomike”, shtoi Manastirliu.
Formimi profesional dhe punësimi, alternativa jonë
Sipas saj, “qeverisja e atëhershme mbante peng familjet në nevojë me pagesa tallëse, për të rritur artificialisht numrin e përfituesve”.
“Kjo opozitë që sot shqetësohet për varfërinë, me 3.7 miliard lekë të buxhetit që alokonte për ndihmë ekonomike mbante në skemë 104 mijë familje me pagesa qesharake, 6-8-10 mijë lekë të vjetra, thjesht për ta përdorur për përfitime politike. Ndaj opozita do të mbaj në këmbë këtë skemë të degraduar të ndihmës ekonomike”, tha ministrja.
Reformimi i skemës së ndihmës ekonomike, sipas Manastirliut, është bërë me vizionin se të varfërit nuk ndihmohen duke u mbajtur për vite e dekada të tëra në skemë, por duke i ndihmuar përmes formimit profesional dhe integrimit në tregun e punës”.
Kemi rritur me 27 % buxhetin për ndihmën ekonomike krahasuar me 2013
“Qeveria jo vetëm që nuk ka në plan shkurtimin e fondeve për ndihmën ekonomike, por ka rritur me 27 për qind nga viti 2013 buxhetin e programit të ndihmës ekonomike, duke rritur përfitimet për familjet që kanë më shumë nevojë dhe shënjestruar më mirë familjet e varfra”, tha Manastirliu.
Këto familje sipas saj “marrin të gjitha subvensionet dhe reforma ka një target të caktuar”.
“Mbi 60 për qind e popullsisë së varfër do të ndihmohet nga skema e ndihmës ekonomike, pra 3 herë më shumë se në 2013 dhe bëhet fjalë për familje vërtyetë të varfra”, tha ministrja.
Në 21 bashki, sipas saj, “ka një rritje të numrit të përfituesve krahasuar me 2017-n. Skema e re, vijoi Manastirliu, nuk ka më kritere përjashtuese që linin jashtë 60 për qind të familjeve vërtetë në nevojë.“Skema e vjetër nuk lejonin familjet as të aplikonin në skemë. Psh nëse kishin ndryshuar vendbanimin, apo nëse nuk kishin një dokument. Ne i kemi hequr dokumentat dhe aplikohet vetëm me 2 dokumenta”, tha ajo.
10 mijë e 63 familje, sipas Manastirliut, për herë të parë përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike si rezultat i heqjes së kritereve përjashtuese të skemës së vjetër.
Risia e kësaj skeme, tha ministrja, është se nuk ka më ndihmë të pjesshme. “15 mijë familje kanë përfituar rritje të pagesës së ndihmës ekonomike, duke marrë ndihmë ekonomike të plotë”, tha Manastirliu.