Kompania prestigjoze mbarë botërore e prodhimit të makinave “Ford” ka tërhequr nga tregu të paktën 1.4 milion automjete. Shkak është bërë defekti që ka përfshirë këtë kompani në automjetet e prodhuara së fundmi pasi timoni mund të shkëputet nga kolona drejtuese e makinës dhe shoferët mund të humbasin kontrollin.
Automjetet të cilat më së shumti kanë dhënë këtë defekt kronik janë ato të llojit Ford Fusion dhe Lincoln MKZ, përkatësisht modelet nga viti 2014 deri në vitin 2018.
Vetë kompania ka pranuar defektin teksa ka sqaruar se bulonat e timonit mund të lirohen me kalimin e kohës. Kompania thotë se është në dijeni që të paktën dy aksidente me vdekje në SHBA kanë ardhur si pasojë e këtij problemi, ku drejtuesit kanë humbur kontrollin mbi mjetet.
Për këtë arsye, është vendosur që kompania të tërheqë këto automjete nga tregu, ku do të bëhet zëvendësimi i bulonave ekzistues me ato më të gjata që kanë fije më agresive dhe një copë najloni për t’i ndaluar ata të dalin të lirë.
Vetëm në SHBA janë tërhequr nga tregu mbi 1.3 milionë makina. Pjesa tjetër janë në Kanada dhe Meksikë.
Ford ka tërhequr po ashtu edhe rreth 6,000 makina shtesë për një thyerje të mundshme të pllakës së presionit, që mund të paraqiste një rrezik zjarri. Një tjetër defekt ky i vënë re së fundmi tek automjetet nga vetë kompania.
Kjo ka të bëjë me ato makina që janë modeli i viteve 2013-16 të tipit Ford Focus me motorët Fox GTDI 1.0 litërsh dhe transmetimet manuale B6, si dhe automjetet e modeleve 2013-15 të tipit Ford Fusion me motorët Sigma GTDI 1.6-litërsh dhe transmetimet manuale B6.
a.ç