Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka folur lidhur me koordinimin opozitar dhe koalicionet për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Teksa ka mohuar ‘ftohjen’ e përfolur në media mes LSI-së dhe PD-së, ajo ka deklaruar se janë të përgatitur për çdo variant në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne jemi në diskutime, ne jemi në fazën e diskutimeve për kandidatët, gjë që është e rëndësishme për kandidatin që do marrë përsipër jo vetëm fushatën po dhe strategjinë e qytetit në të cilin do kandidojë. Do fillojmë dëgjesat, do hidhen kandidaturat në tryezë, por është herët akoma për të vendosur.
Por di të them që LSI do të jetë e përgatitur për të gjitha llojet e varianteve. Planet tona janë nga më të ndryshmet, se nga eksperiencat në zgjedhjet lokale të kaluara në shumicën e rasteve, kemi qenë gjithmonë jo të tradhëtuar, por strukturat e partive përkatëse nuk e kanë përkrahur kandidatin e LSI, ndërkohë që ne e kemi mbështetur qoftë kandidatin e PS apo të PD.
Do plotësojmë Komitetin Drejtues që do orientojë aksionin politik të LSI në 61 bashki të Shqipërisë. Sot Shqipëria nuk ka më luksin për të ndarë programe të majta e të djathta, por forcat politike të unifikohen në luftën kundër varfërisë,” tha Kryemadhi./a.m.