Durrësi është qarku me pjesëmarrjen me të ulët në forcën e punës, çka do të thotë se popullsia mbi 15 vjeç e lart nuk dëshiron të punësohet në normat që përformojnë qarqet e tjera të vendit. Një raport i INSTAT në lidhje me punësimin gjeti se në qarkun bregdetar 52.9 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç kërkon të punojë. Ky është treguesi më i ulët në rang kombëtar.
Në të kundërt, në qarkun e Elbasanit interesi për të punuar vërehet të jetë me i lartë në krahasim me pjesën tjetër të vendit. Rreth 66 % e popullsisë mbi 15 vjeç në këtë qark kërkon të punojë, gati 7 pikë përqindje me i lartë se treguesi mesatar i pjesëmarrjes në forcat e punës në rang kombëtar, raporton Monitor.
Gjithashtu qarqet e Fierit, të Vlorës, Beratit dhe Shkodrës shfaqin gatishmëri më të lartë për të punuar se pjesa tjetër vendit. Në të kundërt qarqet e Tiranës, Kukësit, Lezhës dhe Durrësit shihet se kanë gatishmëri më te ulët për të marrë pjesë në tregun e punës në krahasim me mesataren kombëtare.
Në rang kombëtar, pjesëmarrja në forcat e punës është rritur dukshëm në vitin 2017, duke shënuar 59.1 për qind në fund të vitit 2017 në rritje gati 2 pikë përqindje në krahasim me 2016. Forca e punës në Shqipëri sillet sot si një i ri në kulmin e moshës që fle deri në orët e vona të ditës dhe punon sa për të mbajtur frymën, kur duhet të ndodhte e kundërta.
Popullsia shqiptare ka hyrë në një moshë punë favorite kur normat e varësisë, të rinjtë nën moshën 15 vjeç dhe të moshuarit mbi 65 vjeç janë ende në raporte të ulëta në krahasim me forcën e punës.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1979, në 100 persona, 73 ishin të rinj, ndërsa në vitin 2011, kjo shifër ka qenë vetëm 47 të rinj për 100 banorë, kurse më 2017 ka pësuar ulje të mëtejshme. Ekspertët e demografisë pohojnë se Shqipëria ndodhet në mes të dritares së mundësisë ekonomike që shtrihet përafërsisht në fillim të viteve 2020.
Mosha mesatare e forcës së punës është mbi 40 vjeç dhe nëse do të aplikoheshin politikat e duhura, ekonomia e vendit do të ishte në kulmin e produktivitetit prej kësaj mundësie që jep forca e punës. Forca e punës në Shqipëri është në moshën ku përvoja dhe mosha janë kombinim ideal për të prodhuar maksimumin e përfitimeve.
ma.me