Në orët e para të mëngjesit të sotëm është gjetur një bombë me përmasa gjigante e Luftës II Botërore. Predha me përmasa 1 metër e 10 cm dhe mbi 225 kg tritol është gjetur në komunën e Fanos në rajonin e Markeve në Itali.
Mbi 23 mijë banorë në komunën e Fanos në Itali janë larguar gjatë natës nga banesat e tyre nga rreziku i shpërthimit të saj. Bomba është zbuluar dhe aktivizuar gabimisht gjatë punimeve në një kantier në bregdetin Sasonia di Fano.
Prefekti i Fanos ka urdhëruar evakuimin e rreth 23 mijë banorëve. Sipas ekspertëve bomba është e fabrikimit anglez e pas aktivizimit të saj duhet të shpërthejë brenda 144 orëve. Gjatë natës forcat e ushtrisë dhe policisë italiane kanë vënë në siguri bombën e rreth orëve të para të mëngjesit është transportuar në det për t’u shpërthyer në ujërat e thella. Alarmi mbi sigurinë e jetës së 23 mijë banorëve të evakur do të vazhdojë deri në orën 13.00 të ditës së sotme.
“Rreziku ka pushuar, bomba është dy milje larg Fano“, tha kryetari i bashkisë Massimo Seri. Bomba, e bërë nga ushtria dhe marina ushtarake, do të mbetet në det së paku 144 orë (koha maksimale për çdo shpërthim) para shkatërrimit.