Zbardhen detaje të reja lidhur me shpërthimin e ndodhur një ditë më parë pranë Drejtorisë së Higjienës në Tiranë në një dyqan celularësh, ku mbeti i plagosur pronari i biznesit Gentian Hoxha.
Grupi hetimor ka gjetur prova që mbështesin pistën e ngritur dje sipas së cilës i plagosuri montonte mina me telekomandë në biznesin e tij.
Hetuesit kanë gjetur në dyqan 3 detonatorë, dy kapsolla, përcjellës, pluhur tritoli dhe një mikroskop që përdorej për montimin e bombave.
Policia dyshon se në dyqan mund të ketë pasur edhe lëndë tjetër shëprthyese kur ndodhi ngjarja. Pas gjetjes së këtyre provave, policia i komunikoi arrestin në spital shtetasit Gentian Hoxha për akuzën e “armëmbajtje pa leje”.
Sipas hetuesve, ai prodhonte bomba me telekomandë dhe i shiste grupeve kriminale.
Hetuesit po vijojnë veprimet për zbulimin e aktivitetit të plotë të këtij shtetasi dhe identifikimin e personave për të cilët ai prodhonte bombat./a.m.