Finalizohet draft marrëveshja për pensionet për shqiptarët në Kanada ndërsa pritet edhe firmosja nga palët. Lajmi u bë i ditur gjatë takimit që ministrit i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko zhvilloi me ministrin për Refugjatët, Migracionin dhe Shtetësinë në Kanada, Ahmet Hussen.
Dy zyrtarët diskutuan lidhur me këtë marrëveshje, e cila është shumë me interes për shqiptarët atje. Gjithashtu gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, ku sipas Hussen, Kanadaja po ndërmerr një reformë në këtë kuadër.
Përmes saj synohet lehtësi në lëvizje kryesisht për studentët, studiuesit dhe sipërmarrësit që kanë lidhje biznesi në Kanada. Gjatë takimit nuk munguan diskutime edhe për çështje të tjera të cilat shqetësojnë komunitetin shqiptar atje.
Majko ftoi për të marrë pjesë në samitin e dytë të Diasporës, i cili do të zhvillohet në Tiranë zyrtarin e lartë kanadez, ndërsa ky i fundit shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me autoritetet shqiptare.
Gjatë vizitës së tij në Kanada, ministri Majko ka zhvilluar takime edhe me sipërmarrësit dhe profesionistët e rinj shqiptarë.
a.ç