Në gjykimin e ish-policit Artim Gashi, i cili po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj ish-gruas së tij, si dëshmitare u dëgjua vetë e dëmtuara e këtij rasti.
Gjatë dëshmisë së saj, e dëmtuara tha se gjatë kohës sa kishte qenë e martuar me të akuzuarin kishte përjetuar një tmerr të vërtetë, të cilin e krahasoi me një film horror.
“Unë për vete martesën time mund ta krahasoj me një tmerr, me një film horror. Nuk mund ta përshkruajë asnjë regjisor jetën time që e kam pasur unë aty për ata tre muaj”, u shpreh ajo.
Ajo tha se edhe gjatë kohës sa kishin qëndruar në muajin e mjaltit ish-bashkëshorti edhe gjatë atyre ditëve kishte ushtruar dhunë ndaj saj.
“Kemi qenë në muajin e mjaltit më tmerrues. Ky ka tentuar disa herë të ma fusë kokën në ujë, mandej disa herë ma ka mbajtur kokën në ujë dy-tri herë dhe unë jam larguar prej aty saqë unë kam refuzuar dhe kam dalë nga uji. Mbasi që kam dalë nga uji dhe kam shkuar në dhomë e kom hëngër një dajak bajagi të mirë prej vrasësit, saqë krejt trupi im ka qenë me shenja”, tha e dëmtuara, e cila gjatë gjithë kohës të akuzuarit i referohej me termin “vrasësi”.
Por në lidhje me dhunën e vazhdueshme që i ushtrohej vazhdimisht nga burri i saj tha se nuk e kishte informuar askënd nga familja e saj pasi që nuk kishte dashur që t’i shqetësonte ata, pasi që i akuzuari disa herë e kishte kërcënuar se do t’ia vriste edhe vëllanë.
Ajo e përmendi edhe një rast për të cilin tha se i akuzuari e kishte shtyrë shkallëve me ç’rast ajo e kishte lënduar krahun.
“Pas dy-tri dite më ka shtyrë shkallëve saqë unë e kam vrarë krahun e majtë. Babi im më ka dërguar te doktori për krahu”, tha e dëmtuara.
Momenti kur kishte vendosur që të largohej nga shtëpia tha se kishte qenë atëherë kur në një rast ajo pasi që e kishte përdorur makinën e bashkëshortit për ta dërguar nënën e tij tek disa të afërm pa dashje e kishte gërvishtur makinën. Në lidhje me këtë tha se menjëherë e kishte lajmëruar tashmë të akuzuarin të cilit i kishte thënë se do të e shiste një unazë të babait të saj dhe se gjithsesi do t’ia rregullonte makinën por sipas të dëmtuarës, ai i kishte thënë përmes telefonin të largohej nga shtëpia menjëherë.
“Pastaj ky në telefon më ka shkruar mesazh dhe më ka thënë: “Dil hup nga shtëpia, kudër!” Më ka përzënë nga shtëpia. Kur më ka përzënë nga shtëpia ka qenë me patrollë të policisë, me dy-tre policë para derës së shtëpisë së tij”, shtoi tutje e dëmtuara.
Pas kësaj ajo tha se menjëherë kishte shkuar dhe e kishte marrë babai i saj, të cilin më pas e kishte telefonuar i akuzuari i cili i ishte drejtuar me fjalët: “A ta shfrytëzova mjaft çikën”, duke përdorur fjalë të pista e duke e ofenduar.
Më pas e dëmtuara në mes lotësh e përshkroi edhe momentin e ngjarjes tragjike që i kishte ndodhur.
Madje trupi gjykues u detyrua që të bënte edhe disa minuta pauzë në mënyrë që e dëmtuara të mund të qetësohej në mënyrë që të vazhdonin më tutje me dëshminë e saj.
“Unë atë ditë kam qenë duke shkuar në fakultet me tezën time Kadrie Canolli dhe gjatë rrugës ky idioti ka ardhë dhe ka dashur të më shkelë me kerr, dhe mbasi që e ndal kerrin ky me dhunë don me më shti në kerr, unë kam refuzuar dhe kam qenë me tezen time krah për krah dhe ai më ka ekzekutuar. Ky ka ardh me pretendimin që të më vrasë, por Zoti më ka dhënë jetë. Përderisa unë nuk kam hy në kerr, ky e ka nxjerrë armën zyrtare të Policisë të Kosovës dhe më ka ekzekutuar me një plumb në kokë. Pastaj unë automatikisht kam qenë pa vetëdije dhe nuk kam ditur më asgjë, ndërsa tezja ime e vrarë shpirtërisht”, tha e dëmtuara e cila e në mes lotësh e tregoi momentin kritik të ngjarjes tragjike që i kishte ndodhur.
Më pas mbrojtësja e të dëmtuarës, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, e pyeti atë nëse pas sulmit kishte pësuar dëmtime në shikim, për çka e dëmtuara tha se ajo e ka humbur syrin e majtë dhe se edhe pas shumë e shumë ndërhyrjeve të cilat ka kryer ka ende probleme me syrin e djathtë.
Në lidhje me këto ndërhyrje ajo tha se babai i saj ka shpenzuar rreth 50-60 mijë euro saqë tashmë edhe shtëpinë e ka vendosur për shtije pasi që asaj i duhet të kryejë edhe disa ndërhyrje të tjera kirurgjike.
Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokat Ramiz Krasniqi gjatë marrjes në pyetje kërkoi të dinte nga e dëmtuara nëse i akuzuari kishte qenë xheloz gjatë martesës dhe se a e kishte dashur të dëmtuarën.
Për çka ajo tha se ai ka qenë një njeri xheloz dhe shumë i pabesë.
Madje e dëmtuara krejt në fund deklaroi se pasi që ajo kishte dalë nga spitali kishte marrë një telefonatë kërcënuese, për të cilën pretendon se e ka marrë nga vetë i akuzuari i cili e ka telefonuar nga burgu.
Sipas aktakuzës, ngjarja kritike ka ndodhur më 2 janar 2017 rreth orës 9:30, në rr. “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë.
Prokuroria pretendon se i akuzuari pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte nisur për provim në Fakultet.
Më tej, aktakuza shpjegon se Gashi fillimisht e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë, mirëpo pasi e dëmtuara kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “Glock”, e ka goditur atë me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia këputë indet e syrit të majtë, plumbi depërton në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin.
Më pas, i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, si dhe të njëjtit i është konfiskuar arma e përmendur në dispozitivin e kësaj aktakuze.
I pandehuri në deklaratën e tij të dhënë në prokurori më 30 mars 2017, e kishte shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.