Nga Lorenc Vangjeli
Ka një debat që e majta synon ta mbajë të hapur kurse e djathta kërkon ta largojë jë orë e më parë si patate të nxehtë prej prehërit të saj. PS e PD janë shndërruar në dy skajet që prek lavjerësi i misterit se çfarë ka ndodhur me lobimin e vitit të shkuar të demokratëve në Uashington. Qëndrimet janë gjithashtu të skajshme.
PS pretendon se pas parave të PD-së të shpenzuara në SHBA për lobim qëndrojnë rusët dhe përpjekja e tyre për të ndikuar në zgjedhjet e vitit të kaluar nëpërmjet partisë së zotit Basha. Ky është një skenar i verifikuar në shumë vende të tjera të perëndimit dhe aktualisht po hetohet si mundësi e vënies në skenë edhe për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Çfarë ka qenë e mundur në vende shumëfish më të mëdhenj se Shqipëria, me demokraci shumë herë më funksionale se Shqipëria, me institucione shumë herë më të përgjegjshme se Shqipëria, është lehtësisht mundshme të ketë ndodhur edhe në Shqipëri, nëse “… në Moskë do ta kishin pasur këtë ide”.
PD pretendon tërësisht të kundërtën. Fillimisht sulmon investiguesit po amerikanë të kësaj historie, revistën që botoi lajmin dhe hodhi dyshime për atë që mund të ketë ndodhur me paratë e lobimit. Më pas pretendon se zbulon edhe arsyen se pse ndodh një sulm i tillë, por duke shmangur thelbin e vetë ngjarjes: ka paguar Edi Rama që kërkon të shmangë vëmendjen nga hallet e tij lokale me projektimin e këtij skandali ndërkombëtar që shtrihet në një trekëndësh të supozuar Tiranë, Moskë dhe Uashington. Dhe në fund, sipas variantit të sherrit të adoleshentëve të tipit: “nëse unë jam, je edhe ti”, Basha tenton të ndërtojë një aks simetrie të së keqes me Ramën. E akuzon atë pikërisht për lidhje okulte me një oligark rus.
Prokuroria shqiptare ka nisur një hetim mbi këtë çështje. Tradita e deri djeshme e saj – në nëntor të vitit të shkuar një hetim për të njëjtën temë pati fatin e këmbëve të putanave, më shpejt u hapën se u mbyllën – nuk është se bën optimistë kureshtarët. Në Tiranë, skeptikët kanë verifikuar dhe kanë pasur gjithmonë shumë të drejtë kur kanë gjykuar se shpresat tek drejtësia janë zhgënjyer gjithmonë. Si rregull dhe jo si përjashtim. Mbetet të pritet nëse kësaj here ka shanse për të pasur përjashtim të rregullit dhe prokuroria të gjejë pjesën e saj të dyshimit në tre pyetjet kryesore. Të tjerat janë pyetje që ju jep përgjigje politika. Sot shqiptarët, kureshtarë apo jo duhet të dinë:
E para, a duhet të paguajnë dollarë për lobim në SHBA për interesa kaq të vogla partiake të gjitha partitë kryesore politike në vend?
E dyta, a paguajnë aq dollarë sa deklarojnë zyrtarisht partitë politike në vend për lobim në SHBA apo dhe për konsulenca të tjera “të huaja”.
Dhe e treta, a ekziston një segment rus në këtë histori të PD-së së Lulzim Bashës?
Ende pa provat e duhura ose më saktë, me prova ende të paverifikuara nga drejtësia, logjika kushtëzon disa projektpërgjigje. Që me të gjitha gjasat janë shumë pranë të vërtetës. Edhe kur PD ka paguar deri në 2013-ën, edhe kur ka paguar tani, njëlloj si pagesat që ka bërë edhe PS e LSI në Uashington, paratë nuk kanë ndryshuar pothuaj asgjë në qëndrimin zyrtar të administratave amerikane ndaj aktorëve lokalë në Shqipëri. Fotot me presidentët amerikanë të paguara më flori, kanë rezultuar pothuaj kallpe kur janë hedhur në tregun shqiptar nën diçiturën: mua më do Obama, Trumpi më do mua! Më aq shumë para të hedhura në ajër, nëse do të shmangen nga kompleksi fenomenal i provincialitetit naiv që i mbyt, partitë politike mund të marin shërbime shumë herë më intelektuale pikërisht në Tiranë, aty ku dhe votohen.
Po kështu, partitë e pasura shqiptare, kanë aftësi për të paguar shumë herë më tepër para sesa nevojiten për të blerë një shërbim lobimi në SHBA. Si rregull ato paguajnë një shumë që deklarohet zyrtarisht dhe ndonjë “bakshish” në cash për të shmangur siklete kontabiliteti qoftë në Uashington, qoftë në Tiranë. Ndonjë deputet rishtar në opozitë, e përmend edhe lart dhe mburren ta thotë edhe poshtë, se është ai sponsorizuesi i shumës që udhëtoi me bankë dhe ndoshta edhe cash në drejtim të Uashingtonit. Dhe këtë e quan politikëbërje; në fakt ato para që çuan Bashën në Uashington, janë bileta e tij “lobuese” për të ardhur në Tiranë.
Çfarë është e fundit, por jo e fundit në rëndësi, është verifikimi i një prapavije të mundshme ruse në këtë histori lobimi.
Pesë vjet më parë, në nëtor 2013, tensioni i zemëratës popullore kundër ardhjes së armëve kimike siriane, bëri që të mos ndjehen shumë dyshimet se disa nga “aktivistët e shoqërisë civile” më të zëshëm e të zhurmshëm, kuptonin mirë rusisht në Tiranë. Pjesën tjetër të punës që nisi histeria dhe i dha një dorë rusishtja, e mbylli amatorizmi i pothuaj të gjithë aktorëve lokalë për të menaxhuar situatën, që lanë duart shpejt e shpejt nga një histori në të cilën Tirana tentoi të sillej si një vend i rëndësishëm në këtë dynja.
Pesë vjet më pas, nuk do të ishte çudi që aktivistët civilë të zëvendësohen edhe me aktorë politikë. Ka prej tyre nga ata që shpesh recitojnë pjesë të një roli për të cilin ndoshta nuk janë të vetëdijshëm se kush e ka shkruar skenarin.
Lehtësia dhe mendjelehtësia e padurueshme e të bërit politikë në Tiranë është e zakonshme. Më shumë se faj e mëkat, mund të jetë naiviteti që bën zakonisht të lumtur mullixhinjtë mbas çdo sherri me vjehrra dhe nuse.
Përtej mullixhiut të huaj, çdo kush në Tiranë, pavarësisht ngjyrës së votës që hedh, me të gjitha gjasat duhet t’i besojë më shumë Lulzim Bashës kur betohet se nuk ka të bëjë me rusët sesa amerikanit Nick Muzin që pretendon se ka marë një mal me para për të shitur influencë amerikane për PD-në.
Përtej nazeve të nuses hipotetike, çdo kush në Tiranë duhet ta refuzojë fort Lulzim Bashën i cili më shumë sesa shpjegon e afron transparencë, akuzon Edi Ramën po për të njëjtën afërsi simetrike me prehërin rus.
Ka disa vjet që shumëçka ndodh në Tiranë ka një lidhje pothuaj shkak-pasojë me reformën në drejtësi. Ky investim amerikan dhe evropian për Shqipërinë, ka gjasa të ngrihet mbi një aksiomë të verifikuar edhe më parë gjetkë për nevojën e betejës ndaj një klase politike që në thelb është bërë gjithmonë e më e pabesueshme, më shumë mëkatare dhe më e pandëshkueshme për mëkate të vjetra dhe të reja. Një klasë politike më shumë skeletë të fshehur në dollapet e saj, por që në një demokraci afunksionale si demokracia shqiptare, është e pamundur të ndryshojë me votë. Tre dekada mbas rrëzimit të komunizmit, çfarë zëvendësoi matufët e byrosë politikë, është shndërruar në Hidrën që riprojekton vetveten edhe kur ndryshon kokat nga marrëdhënia me sëpatën.
Një klasë politike e korruptuar është vulnerabël dhe në përpjekje për të mbrojtur veten, nuk është çudi që mund edhe të tentojë të shmangë orientimin gjeostrategjik të vendit. Që përballë hallit vetjak e meskin, dikush edhe mund të mendojë se është më e thjeshtë të meresh me rusë që nuk e kanë për shqetësim qoftë standartin e zgjedhjeve, qoftë qasjen ndaj institucioneve, qoftë dhe vetë nivelin e demokracisë dhe që kanë një qasje krejt tjetër nga pragmatizmi amerikan për raportin mes standarteve dhe stabilitetin. Dhe natyrisht një raport krejt tjetër mes meritës dhe parave.
Në Ballkan, teoritë konspirative janë shumë popullore dhe po kështu edhe mesazhet pothuaj të koduara që jepen me shkrim e gojë. Mesazhe që janë tërësisht të pakuptueshme për publikun, por deshifrohen nga shumë pak të interesuar për to. Për shembull, duke u nisur nga Tirana e Teatrit Kombëtar e për të mbërritur në Shkodrën e Rozafës, duhet kaluar e ndaluar më parë në Lezhën e Besëlidhjes së Kastriotit. Zakonisht shqiptarët e bëjnë këtë rrugë me makina të prodhimit gjerman, shumë – shumë edhe me makina të prodhimit amerikan apo edhe koreano-jugore së fundmi, por pothuaj në asnjë rast, me makina ruse. Ky tip makine, dikur shumë popullor në Shqipërinë e hershme sovjetike, herët a vonë, për keq dhe jo për mirë, do të shfaqet si një kulm i tretë në marëdhënien Tiranë – Uashington.