Më shumë se 1.5 ton kokainë është sekuestruar në Kolumbi e fshehur në një kontenier mallrash.
Mediat e huaja shkruajnë se sasia e madhe e drogës kishte destinacion Antwerp-in në Belgjikë.
“Në kontrollin e zhvilluar në portin e Santa Martas, policia kombëtare e antidrogës konfiskoi 1626 kg kokainë midis një dergese me fruta (banane) me destinacion Antwerp, Belgjikë,” thuhej në deklaratën për shtyp të policisë.
“Droga u gjet brenda në kontenier. Ajo ishte e ndarë në 1600 pako jeshile drejtëkëndore, që ishin vendosur në mënyrë strategjike pa u vënë re,” raportoi policia.
Vlera e kokainës në tregun evropian arrin gati 89 milionë dollarë, shkruajnë mediat belge.
Kujtojmë se ditë më parë në Portin e Durrësit u kap një sasi 613 kg kokainë që vinte nga Kolumbia në një kontejner me banane.
Deri më tani dy persona janë arrestuar, ndërsa porositësi i ngarkesës me banane, pronar i kompanisë “Arbri Garden”, Arbër Çekaj është shpallur në kërkim.