I vetmi që nuk ka reaguar për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA dhe lidhjeve të dyshuara me rusët është Sali Berisha, heshtja e të cilit lë të ekspozuar Lulzim Bashën përballë sulmeve që po i adresohen nga disa anë. Është naive të besohet se një ofensivë e tillë politike ndaj kryetarit të Partisë Demokratike mund të linte indiferent Sali Berishën, për më tepër për një temë si proamerikanizmi dhe antiPutinizmi.
Pra përballë sulmeve që dirigjohen politikisht nga Partia Socialiste dhe jo vetëm, Lulzim Basha nuk ka mbrojtjen e Sali Berishës, i cili po qëndron në rolin e spektatorit. Anormale, jo vetëm për ndjeshmërinë që ka karakterizuar qytetarin dixhital në raport me zhvillimet e aktualitetit, por edhe hierarkinë politike të PD-së.
Në të njëjtën kohë me akuzat për sponzorizim të Bashës nga rusët kanë shpërthyer kundërshtitë e atyre që njihet si zëra opozitarë brenda Partisë Demokratike dhe njerëz të Sali Berishës në PD. Astrit Patozi, Arben Imami, dhe Ridvan Bode ditët e fundit kanë amplifikuar akuzat kundër Lulzim Bashës me intervista në disa televizione si Report Tv apo Tv Klan dhe të pasqyruara gjerësisht në portalet që i bëjnë fresk qeverisë. Lidhja e supozuar me rusët është armë tepër që aktivistët e mendimit ndryshe në PD po përdorin për të goditur Bashën.
Po ashtu portalet pranë opozitës i kanë dhënë një hapësirë një postimi të gazetarit Bledian Koka, i njohur për afeksoinin pro Sali Berishës, ku i bën thirrje Lulzim Bashës të japë dorëheqjen si e vetmja rrugë për të shpëtuar veten dhe Partinë Demokratike nga akuzat për lidhje me rusët.
Ky është vizatimi që bashkon pikat e kësaj trajektoreje, ku reflektohen nga njëra anë mbrojte interesash të ish-kryeministrit Berisha dhe disa njerëzve të përjashtuar nga PD dhe në anën tjetër qëllime politike të qeverisë aktuale.
Në këta pikë mediat pro qeverisë po përpiqen të shërbejnë sa më dukshëm ndaj zotit Rama me zellin për të promovuar kryesisht Patozin dhe zërat kundër.
Interesi i Sali Berishës për miratuar një sulm ndaj Lulzim Bashës mund të shpjegohet me qëndrimin e këtij të fundit ndaj çështjes me të cilën po përballet djali i tij Shkëlzeni, ku Partia Demokratike mesa duket nuk po ofron mbrojtjen e duhur. Ose me shpérfilljen që Basha ka treguar kohët e fundit ndaj tij. Ndërsa qeveria ka shumë arsye për të zhvendosur vëmendjen drejt Lulzim Bashës, që ka treguar se është i aftë të kthehet nga kundërshtar në partner. Aq më tepër që 613 kg kokainë nuk dihet se çfarë historie fshehin.
Në këtë histori të paqartë sherresh të brendshme, edhe dalja hapur kunder Bashës e një “miku” të Berishës, siç e ka quajtur ky i fundit Damir Fazlliç, e bën edhe më komplekse pozitën e kryetarit të PD. Mesa duket rrethi po ngushtohet dhe Lulzim Basha po ndjen më shumë se kurrë pas qafe hijen e rëndë të paraardhësit të tij.
Marrë me redaktime nga Respublica