Mystehak Beqiraj, babai i 36- vjeçarit të vrarë e groposur, Kreshnik Beqiraj, i bën thirrje drejtësisë për dënimin maksimal të autorit.
Sipas tij, i biri ishte njohur me autorin që e masakroi me çekiç në Belgjikë.
Për shkak se të dy ishin pa dokumente në këtë shtet, Policia belge i ka mbajtur për disa kohë në burg dhe më pas i ka kthyer në atdhe.
Por qëndrimi bashkë në burg i ka lidhur më fort ata derisa kanë vendosur që edhe Albert Zekaj të shkonte dhe të jetonte në Fier.
Sipas babait të viktimës, i biri i kishte dalë garant shokut të tij për ta ndihmuar. Por me kalimin e kohës, situata mes tyre ndryshoi, pasi djali i ardhur nga Malësia e Madhe nuk punonte.
Për rrjedhojë, të gjitha shpenzimet, përfshire qiranë, ushqimet, dritat e gjithçka tjetër i duhej t’i paguante vetë 36-vjeçari.
Dyshohet se ditët para se të ndodhte krimi i rëndë, dy shokët kanë debatuar me njëritjetrin. Këtë fakt e pohon edhe babai i viktimës, i cili thekson se i biri i kishte qarë hall se shoku i tij i ishte bërë një barrë shumë e madhe dhe se po shpenzonte gjithçka për të. Sipas Mystehak Beqirajt, natën pas vrasjes ai kishte shkuar te banesa e të birit, pasi ai nuk i përgjigjej në telefon. Por aty kishte gjetur vetëm Albertin të shtrirë. Ky i fundit i kishte thënë se Kreshniku ishte në punë
Çfarë ndodhi një vit më parë, kur komunikuat për herë të fundit me djalin?
Atë natë që është vrarë. Në datën 22 qershor Kreshniku erdhi këtu tek unë, qëndroi rreth një orë dhe iku. Sa qe këtu më tha që ishte shumë i mërzitur nga shoku i tij, sepse po detyrohej të paguante për të çdo gjë. Madje më tha që më mirë të isha martuar se s’do harxhoja kaq shumë sa po harxhoj me Albertin. Më tregoi gjëra të tilla, që kishin debatuar, por Alberti nuk i jepte lekët e qirasë dhe as të shpenzimeve. I fola të qetësohej se e kishte shok. Unë të dy i mbaja si djemtë e mi. Alberti kishte ardhur edhe këtu shumë herë.
Çfarë të tha djali para se të largohej?
Mesa mbaj mend mund të ketë qenë ora rreth 22:00 dhe më tha kur iku që të mos shqetësohem se nuk do të bënte debate. Të nesërmen e mora në telefon për ta pyetur se e kisha si merak, por ai se hapi. U shqetësove se i telefonova shumë herë.
Çfarë bëtë më pas?
Shkova në shtëpinë e tij, ku jetonte me Albertin. Atje gjeta Albertin shtrirë. E pyeta se ku ishte djali, por më tha që mund të ketë ikur në punë se ky kishte qenë në gjumë. Unë diçka dyshova, por jo tek Alberti. Mora një fotografi atje dhe afër darkës shkova bëra denoncim. Zemra më thoshte se diçka kishte ndodhur.
Po si janë njohur Alberti me djalin tuaj?
Janë njohur në burg në Belgjikë. S’di qysh u vajtën punët atje. U kapën pa letra dhe ata erdhën bashkë këtej, si shokë dhe shkonin mirë. Rrinin bashkë në një shtëpi. Debatet nisën për mungesë të korrektësisë. Ai nuk paguante qiranë dhe djali më tha që do ta nxirrte nga shtëpia.
Si sillej Kreshniku? A punonte?
Kreshniku, jo se ishte djali im, por ishte djalë shembullor. Nuk ngrinte asnjëherë zërin dhe punonte çdo ditë. Sa erdhi këtu vendosi të merrej me një servis makinash, ku shërbente lyerje me bojë të automjeteve. Kishte punë çdo ditë dhe po punonte seriozisht që të mblidhej e të krijonte familje se edhe mosha po i ikte. Por e zhyti në halle shoku.
Pra, kishte biznes Kreshniku? E përballonte jetesën?
Po, ai kishte biznes dhe ecte mirë. Shoku i tij i thoshte gjithmonë se “sot ke ti, nesër do kem unë”. Prandaj ai i kërkonte gjithmonë ta ndihmonte. U detyrua djali im që pak ditë përpara se të ndodhte ngjarja të mbyllte licencën e servisit në tatim- taksa dhe të shlyente edhe qiranë e disa muajve që kishte lënë Alberti pa paguar. E fundosi djalin aq sa e bëri të fliste me vete. Ai ishte shumë punëtor, por nuk dinte si të ndahej me shokun se i vinte keq.
Dyshoni se natën e vrasjes mund të kenë debatuar?
Jo. Ai e ka pranuar në Polici se natën e vrasjes e kishte vrarë me gjakftohtësi djalin kur ishte në gjumë. Për këtë arsye nuk do ta fal kurrë. Ma vrau djalin në gjumë që, në gjumë s’të vret as hasmi. Ç’mi bëri djalit maskarai (qan).
U fol se afër tij është gjetur edhe një valixhe. Mos ndoshta e ka grabitur pasi e ka vrarë, ju keni dyshime?
Po nëse e ka grabitur nuk është çudi. Ai i mori jetën, mund t’ia ketë marrë edhe paratë. Unë nuk di gjë, nëse djali kishte kursime apo kishte para apo qysh e tek, s’di asgjë. Po nuk po pyes për paratë, kur më iku djali që e kisha dritën e syve.
Tani që autori u zbulua, çfarë apeli keni?
Drejtësia ta dënojë maksimalisht. Nëse drejtësia nuk vepron, do ta bëjmë ne. Ai Alberti duhet ta pësojë atë që pësoi djali im. Nuk ia kishim borxh. Djali e mbajti me bukë e me shtëpi e me gjithë të mirat e në fund të m’i marrë jetën djalit. Ai ka të bëjë me ne nëse nuk dënohet siç duhet. Shteti ka ligje, prandaj të bëjë çdo gjë që unë të mos ndërmarr veprime personale. Nuk do t’ia fal kurrë po e theksoj. Skam çfarë humbas më shumë se kaq. Nuk më gjen shpirti rehat qëkur më humbi djali./panorama/a.m.