Janë 8201 individë, të cilët në vitin 2016 kanë deklaruar elektronikisht Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, pasi kishin të ardhura vjetore më të larta se 2 milionë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Tatimeve.
Në raport me vitin 2015 në vitin 2016 ka një rritje me 14.6% të individëve të cilët kanë vetëdeklaruar të ardhurat. “Në vitin e fundit vërehet një trend në rritje i ndërgjegjësimit të individëve lidhur me detyrimin e tyre për të vetdeklaruar të ardhurat vjetore”, thanë burimet zyrtare të tatimeve për Monitor.
Nisur nga kjo tendencë, tatimet presin që nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe njoftimit të individëve të cilët kanë detyrimin për të plotësuar dhe deklaruar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave të ketë një shtim të numrit të individëve të cilët deklarojnë të ardhurat e tyre vjetore konform legjislacionit në fuqi. Afati i fundit për deklarimin e të arhdurave është 30 prilli.
Deklarimi i të ardhurave, përveçse është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij, sipas burimeve zyrtare të tatimeve.
Kushtet dhe afatet për deklarimin e të ardhurave
Sistemi Tatimor mbështetet në deklarimin vullnetar të individëve dhe tatimpaguesve.
Çdo individ, që përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, bazuar në ligjin nr.8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, është i detyruar që t’i deklarojë këto të ardhura,pranë administratës tatimore, sipas përcaktimeve, të mëposhtëme :
Individët rezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë, detyrohen të plotësojnë dhe të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave.
Gjithashtu, Individët jorezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2 000 000 (dy milionë) detyrohen të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave.
Të ardhurat, të cilat individët janë të detyruar t’i deklarojnë janë:
Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit të individit.
Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit.
Të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit.
Të ardhurat bruto nga interesa bankarë.
Fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme;
Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit;
Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
Fitimi kapital nga dhurimi.
Të ardhura bruto të realizuara jashtë, territorit të Republikës së Shqipërisë;
Të ardhura bruto të tjera, të cilat nuk janë listuar më lart.
Deklarata për të ardhurat e përftuara në vitin 2017, dorëzohet vetëm në rrugë elektronike, në sistemin elektronik të tatimeve, jo më vonë se data 30 prill e vitit 2018./a.m.