Nga Ilir Beqaj*
Plakja dhe mpakja janë sfidat më të mëdha që ka Shqipëria
Shënimet në vijim bëjnë një analizë numerike të gjendjes demografike të vendit. Të dhënat janë marrë nga Regjistri i Gjendjes Civile dhe Instituti i Statisktikave për periudhën 2010 – 2017.
Në periudhën në fjalë ka një rënie të numrit të lindjeve dhe një shtim të numrit të vdekjeve gjë që ka sjellë që shtesa natyrore të vijë duke u zvogëluar. Ritmi i zvogëlimit është i shpejtë, kështu që dukuria është shqetësuese. Martesat janë në rënie, ndërsa divorcet rriten ndjeshëm vit pas viti. Shoqëruar kjo edhe me lëvizje migratore me balancë negative, popullsia rezidente vlerësohet se është pakësuar vit pas viti.
Popullsia në datën 1 janar të cdo viti është në grafikun në vijim. Duket qartë që viti pas viti popullsia është në rënie. Në periudhën në fjalë është pakësuar me 48,750 vetë apo me rreth 1,7 %.
Përtej pakësimit të popullsisë, vihet re një ulje e ndjeshme e popullsisë 0 – 14 vjeç dhe një rritje po e ndjeshme e popullsisë 65 vjeç e sipër.
Popullsia deri 15 vjeç është pakësuar me 23 %, ndërsa popullsia mbi 64 vjeç është shtuar me 24 %. Popullsia 15 – 64 vjeç është rritur vetëm me 1 %.
Qoftë jetëgjatësia mesatare në lindje, qoftë mosha mesatare janë rritje.
Jetëgjatësia mesatare në lindje është në rritje kryesisht për meritë të rritjes së jetëgjatësisë së burrave. Në periudhën 2010 – 2017 jetëgjatësia mesatare e burrave u rrit me 2,4 vite ndërsa e grave me 0,6 vite. Në 2017, burrat jetuan mesatarisht 77,1 vite, ndërsa gratë jetuan mesatarisht 80 vite.
Mosha mesatare në periudhën 2010 – 2017 u rrit nga 34,1 vjec në 37,1 vjeç. Përgjatë periudhës u rrit me 3,3 vite apo me 5 muaj e 20 ditë në çdo vit. Rritja është e njëjtë si për burrat ashtu edhe për gratë.
Të dhënat për lindjet e vdekjet përfshijnë ngjarjet brenda vendit, por edhe jashtë vendit.
Lindjet
Lindjet kanë rënë në 8 vite me 26 %. Lindjet brenda vendit kanë rënë me 11 %, dmth mesatarisht me më shumë se 1 % në vit. Megjithëse rënie është përqëndruar në vitet 2015, 2016, 2017. Në 2017 kundrejt 2013 lindjet kanë rënë 13 %. Lindjet jashtë vendit kanë rënë me 50 %, por këtu besoj duhet të ketë edhe mosregjistrim të plotë në Regjistrin Kombëtar. Psh në 2016 janë regjistruar rreth 15 mijë lindje, ndërsa në 2017 janë regjistruar rreth 10 mijë lindje. Për pasojë pesha e lindjeve brenda vendit në lindjet gjithsej ka ardhur duke u rritur, siç ilustrohet grafikisht.
Ka rënie të ndjeshme të numrit të lindjeve për çdo grua që është në moshën e riprodhimit. Në vitin 2017 ky tregues ka rënë nën 1,5 fëmijë.
Raporti gjinor midis djemve dhe vajzave në lindje vijon të jetë ndjeshëm më i lartë në favor të djemve. Dukuri shqetësuese që kërkon një analizë më të veçantë të aborteve.
Të kesh një raport të vajzave ndaj totalit të lindjeve 47,5 % është njësoj sikur për çdo 100 vajza të lindura të kemi 110 djem të lindur. KJo do të thotë pas 15 vjetësh vendi të përballet me një problem jo të vogël riprodhues.
Ndërkohë tek djemtë vihet re një rënie më e lartë e lindjeve se tek vajzat. Respektivisht lindjet e vajzave kanë rënë në 8 vite me 10 % ndërsa të djemve me 12 %.
Vihet re që mosha mesatare e nënave lehonë ka ardhur duke u rritur nga viti në vit, edhe pse në vite është rritur me vetëm 1 vit. Pra gratë shqiptare po lindin fëmijë në moshë më të madhe.
Ndërkohë, mosha mesatare e nënave lehonë në lindjen e tyre të parë është rritur edhe më shumë. Praktikisht në 8 vite, mosha e grave në lindjen e tyre të parë është rritur nga 22 vjec në 25 vjec.
Nëse analizojmë moshën e grave në martesë, vëme re se nga 2010 në 2017 mosha mesatare e garve në martesë është rritur nga 23 vjeç në 25 vjeç. Pra fillimi i jetës martesore në një moshë më të madhe ka sjellë edhe lindjet e para në moshë më të madhe.
Vdekjet
Numri i vdekjeve ka ardhur në rritje.
Vdekjet gjithsej u rritën në 8 vite me 16 %, nga të cilat vdekjet brenda vendit u rritën me 11 % në 8 vite.
Vdekjet jashtë vendit u rritën me 2,3 herë në 8 vite, por këtu mund të ketë edhe problem me regjistrimin e vdekjeve jashtë vendit në Regjistrin Kombëtar.
Kjo ka sjellë që pesha e vdekjeve brenda vendit ndaj totalit të vijë në rritje.
Një analizë më e veçantë për vdekjet në moshën deri 5 vjeç tregon se kemi një rënie të vdekshmërisë së fëmijëve.
Për fëmijet deri 12 muajsh ka një rritje me 43 % të vdekjeve në 2017 krahasuar me 2010, por ka një rënie me 15 % krahasuar me 2013 (edhe pse shifra e 2010 është shumë e ndryshme nga ajo e 7 viteve të tjera që të çon në dyshimin e saktësisë së të dhënave).
Për fëmijët nga 1 në 5 vjeç ka në rënie më 61 % të vdekjeve në 2017, krahasuar me 2010, si dhe ka një rënie me 46 % të vdekjeve krahasuar me 2013.
Një analizë më e veçantë do të duhet të bëhet për vdekjen e fëmijëve deri 30 ditë nga dita e lindjes.
Ndërsa pesha që zënë vdekjet e fëmijëve deri 12 muaj dhe 1 – 5 vjec respektivisht ndaj totalit të vdekjeve jepet në tabelën në vijim:
Ndërsa grafikisht ilustrimi është :
Martesat
Në periudhën 2010 – 2017 edhe numri i martesave është në rënie. Në 2017 kanë lidhur 22540 çifte. Në krahasim me 2010 janë 2900 martesa më pak apo 11,5 % më pak.
Ka rritje edhe të moshës kur martohen, qoftë burrat, qoftë gratë. Në periudhën 2010 – 2017 mosha e martesës për burrat u rrit me 2,3 vite ndërsa për gratë me 3,1 vite. Në 2017 burrat u martuan në moshën 31,5 vjeç, ndërsa gratë në moshën 26,5 vjeç. Diferenca në martesë midis burrit dhe gruas është 5 vite.
Divorcet
Divorcet janë rritur me ritëm të shpejtë në vitet 2010 – 2017. Në 2017, u shkurorëzuan 5580 cifte. 60 % më shumë se në 2010.
Rritja e divorceve nga një anë dhe rënia e martesave nga ana tjetër, kanë sjellë që numri i divorceve për 1000 martesa të rritet ndjeshëm duke patur që në 2017 për çdo 4 martesa të lidhura të jetë prishur 1 martesë.
*Posaçërisht për JavaNews.al