Ministri i Shtetit për Diasporën gjendet në një vizitë pune në Kanada ku po zhvillon takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe zyrtare të qeverisë.
Në takimet e zhvilluara me përfaqësuesit e “Bashkësisë Shqiptare Kanadeze” dhe Shoqatës së Shqiptarëve të Hamiltonit, Ministri e cilësoi diasporën në Kanada si një fenomen, për shkak të grumbullimit të madh të intelektualëve dhe vlerësoi modelin e integrimit të shqiptarëve atje, si një prej më te suksesshmëve. Ministri u njoh me projektin për ngritjen e “Shtëpisë së Shqiptarit’, qendra që do t’i dedikohet aktiviteteve kulturore e gjithashtu mësimit të gjuhës shqipe.
Majko informoi të pranishmit lidhur me hapat e ndërmarrë në bashkëpunim me Kosovën, për ta trajtuar komunitetin shqiptar si një të tërë. U fol për marrëveshjet dypalëshe lidhur me diasporën, si ato për hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore në të gjithë boten dhe për fushën e arsimit. “Nëse nuk do të kujdesemi për identitetin tonë do të humbasim mijëra të rinj pa bërë asnjë luftë’, ishte komenti i Majkos.
Ndërkaq, në takimin me kreun e Asamblesë Legjislative të Ontarios z. Dave Levac, Ministri vlerësoi përfshirjen e gjuhës shqipe në programin shkollor në këtë rajon dhe kërkoi shtrirjen e këtij standardi kudo ku jetojnë shqiptarët në Kanada. Z. Levac shprehu gatishmërinë e tij për të mundësuar një dialog konstruktiv me autoritete e rajoneve të tjera por edhe me ato të qeverisë federale.
U fol gjithashtu për bashkëpunime mes universiteteve të të dyja vendeve për programe të shkëmbimit studentor. Te dy zyrtarët u dakordësuan se nëse i ashtuquajturi ‘brain drain’ kanalizohet siç duhet, kjo i shërben si vendit të origjinës ashtu edhe shtetit pritës. Të enjten Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës organizuan një pritje në nder të dy Ministrave të Diasporës, Pandeli Majko dhe Dardan Gashi dhe gjithashtu përfaqësuesëve të komunitetit shqiptar në Ontario./a.m.