Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin në mbledhjen e së mërkurës për të përcaktuar mënyrën dhe metodat se si do të vlerësohet taksa për banezat dhe ndërtesat në pronësi apo në përdorim të qytyetarëve dhe bizneseve. Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi duke filluar nga data 1 prill i këtij viti.
Baza e vlerësimit mbështetet te vetëdeklarimi, si një detyrim për çdo taksapagues, për të vijuar më tej edhe me metodat alternative, nëse vetëdeklarimi nuk bëhet, nuk është i saktë apo nuk disponohen të dhëna të plota për një vlerësim të drejtë të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që duhet të taksohet.
Sipas VKM, çdo taksapagues duhet të vetëdeklarojë të dhënat për pasurinë e tij të paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që ka në pronësi apo në përdorim. Vetëdeklarimi bëhet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Në rast se vlera e vetëdeklaruar nga taksapaguesi rezulton e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmim e vlerësuar, të përcaktuar me këtë metodologji, si vlerë e bazës së taksës do të merret vlera më e lartë.
Bashkitë kryejnë korrektime në regjistrin e bazës të të dhënave. Korrektimet kryhen bazuar në verifikimet periodike në terren për sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore.
Nëse identifikohet ekzistenca, por nuk arrihet të përcaktohet sipërfaqja e ndërtesës/njësisë pronësore, përdoren vlerat referuese për sipërfaqe, si më poshtë vijon: a) 100 (njëqind) metër katror sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim. b) 70 (shtatëdhjetë) metër katror sipërfaqe për njësi pronësore, për ndërtesat për banim, të privatizuara me ligjin nr.7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar.
Për ndërtesat e tjera, të cilat nuk shërbejnë për qëllime banimi, njësitë e vetëqeverisjes vendore bëjnë verifikimin në terren, për të përcaktuar sipërfaqen dhe për të llogaritur bazën e taksës.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke përdorur të dhënat e mbledhura për ndërtesën/njësinë pasurore, përcaktojnë bazën e taksës dhe llogarisin shumën e taksës vjetore të ndërtesës për t’u paguar nga çdo taksapagues. Baza e llogaritjes së taksës së ndërtesës është vlera e ndërtesës/njësisë pronësore, përcaktuar me një nga metodat e parashikuara në këtë metodologji.
Për efekt të llogaritjes së taksës për ndërtesën/njësi pronësore, baza e taksës shumëzohet me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj, sipas kategorive të ndërtesave, si më poshtë:
a) 0,05%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për banim;
b) 0,2%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;
c) 30% e shkallës së taksës përkatëse, për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë, sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.