Një ndër dy italianë zgjodhi parti populiste. Shteti do të ndryshojë. Në BE Italia nuk është vendi i parë, që ecën në këtë drejtim. Sistemi po lëviz, mendon Bernd Riegert.
Tërmeti populist në Itali përfaqëson një kthesë të thellë politike për vendin dhe për Evropën. Sistemi i vjetër, në të cilin socialdemokratët dhe partitë konservatore të tipit Berlusconi i linin vendin njëri-tjetrit në krye të pushtetit, është shkatërruar. Në vend të partive të vjetra popullore janë evidentuar pole të reja. Partitë populiste të majta dhe të djathta do të bëhen partitë e reja popullore në Itali. Ky është një fakt, edhe nëse ai nuk i pëlqen establishmentit. Në Itali ndodhi ajo që kemi përjetuar tashmë në shtete të tjera të BE dhe ndoshta edhe do ta përjetojmë.
Në Greqi është në pushtet një koalicion partish të majta dhe radikalësh të djathtë. Në Hungari qeverisin populistët konservatorë. Në Francë një parti kundër sistemit i fitoi zgjedhjet presidenciale duke nisur nga zeroja, duke u treguar vendin populistëve të djathtë, në drejtim të të cilëve anon edhe një e treta e zgjedhësve. Megjithatë, lëvizja e Emmanuel Macronit – në dallim nga shumë të tjera – ka pozicionim miqësor ndaj Evropës. Në Austri populistët e djathtë kanë hyrë në qeveri. Në Gjermani, ata janë partia më e madhe opozitare në Bundestag. Në Gjermaninë Lindore “AfD” është pjesërisht forca më e madhe. Në Britaninë e Madhe një anti-lëvizje nacionaliste, e cila ka mbështetje tek të gjitha partitë, arriti të imponojë Brexitin.
Peizazhi politik i Evropës po ndryshon
Italia në këtë mënyrë nuk është rast i veçuar, por vazhdimi i një zhvillimi, të cilin partitë tradicionale kanë mundur ta kundërshtojnë me pak gjëra. Kritika e thjeshtë që në rastin e konkurentëve të rinj ultra të djathtë dhe ultra të majtë bëhet fjala për “populistë”, nuk mjafton më. Zgjedhëset dhe zgjedhësit kjo me sa duket nuk i shqetëson. Siç bëhet e qartë në Itali, ata duan diçka të re, erë të freskët, një alternativë. Ky qejf për përmbysje ushqehet nga një pakënaqësi e thellë me arritjet e sistemit të deritashëm. Në Itali kjo pakënaqësi ka zjerë prej kohësh, tani ndodhi një shpërthim populist, i cili çliron forca antievropiane, nacionaliste, kritike ndaj sistemit. Fituesi i djathtë i zgjedhjeve, Matteo Salvini e shprehu saktë në ditën pas zgjedhjeve me fjalët që tha. Populizmi është titull nderi për të, sepse ai ka dalë të përfaqësojë popullin, dëshiron të dëgjojë “vox populi”, zërin e popullit.
Zgjedhësit duan zgjidhje të thjeshta për probleme komplekse. Kur ato nuk mund të ofrohen, fajin e kanë të tjerët. Këtu populistët modernë të Britanisë së Madhe deri në Itali kanë mësuar shumë nga kryepopulisti, Presidenti i SHBA, Donald Trump. Nuk është rastësi që ish-pëshpëritësi i Trumpit dhe shkatërruesi i sistemit, Steve Bannon u shfaq ditën para zgjedhjeve në Romë dhe mbështeti ultra të djathtin Salvini.
Por populizmi në Evropë nuk është më vetëm fenomen i djathtë. Syriza radikale në Greqi e ka atdheun e saj në grupin parlamentar të majtë të Parlamentit Evropian.
Populizmi është shumicën e herëve antievropian
Shqetësim të madh duhet të përbëjë për njerëzit që angazhohen për Bashkimin Evropian dhe për fqinjësinë e mirë rrethana që populistët dhe partitë kundër sistemit janë thuajse pa përjashtim kundër BE, kundër Evropës dhe pjesërisht me pozicione nacionaliste. “Italianët të parët”, ky qe kushtrimi i betejës i Salvinit, i marrë hua nga Donald Trumpi. Austria e para, thotë FPÖ, e cila ndodhet në qeveri në Vjenë. Po të thërrasin të gjithë “Unë i pari!”, atëherë ndjenja e përbashkësisë e evropianëve do të ishte së shpejti vetëm një frazë boshe.
Partitë e reja, shkatërrueset e sistemit, populistët kanë krijuar në internet dhe në të ashtuquajturat media sociale kanale të veta dhe shumë të suksesshme e edhe që nuk kushtojnë shumë. Partitë tradicionale duket se kjo tendencë i ka kapur në gjumë. Interneti, mendimi në rrjet, injoranca dhe suksesi populist janë pjesë të afërta të njëra-tjetrës. Demokracitë parlamentare mund të shndërrohen shpejt në internet në diktatura të manipuluara të mendimit. Kontrollin e ka twitteri? E kanë koncernet amerikane? Firmat ruse të trolleve? Hakerët e Koresë së Veriut?
Me këto zgjedhje Italia u transformua përgjithmonë. Cili vend e ka radhën? Në Gjermani, partia socialdemokrate, SPD nuk është më parti popullore. Kur do t’i arrijë ky fat edhe unionistët? Apo patitë tradicionale, që në thelb synojnë mesin, do të arrijnë ta kthejnë fletën larg populizmit?DW