Më rastin e festës së “7 Marsit”, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar me medalje mirënjohje disa mësues të vendit, ndërsa ka shprehur vlerësime për të gjithë arsimtarët. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë kërkoi ndjesë për gjuhën e përdorur në seancat plenare të së enjtes.
Rama tha se “shfaqjet e Kuvendit gjatë ditës së enjte”, nuk i ndihmojnë mësuesit në edukimin e qytetarëve të mirë.
“I kërkoj ndjesë të gjithë mësuesve, për faktin që unë dhe raca ime e politikanëve, nuk i ndihmojmë në kryerjen e misionit tuaj thelbësor, që është jo vetëm të përgatisni njerëz të ditur, por edhe të edukoni qytetarë të mirë. Akoma më keq, ju pengojmë çdo të enjte në kryerjen e misionit tuaj. Të enjten, shfaqja rrëzon të gjitha fjalët që ne mund të themi gjatë javës, në raport me virtytet, dhuntitë e mira. Sidoqoftë, duke qenë në këtë detyrë, unë kam mundësinë që në ditët e tjera të javës, përveç të enjtes, të javë të lajë me sa më shumë punë në mbështetjen tuaj mëkatet e ditës së enjte“, tha Rama
Kryeministri u shpreh në fjalën e tij se “reforma në arsim po krijon dita ditës kushte për të pasur mësues sipas meritës, tekste sipas ambicies, mësimdhënie sipas nevojës dhe për të pasur “rilindjen” e trekëndëshit të suksesit shtet-mësues-prindër”.
“Në raport me ju, ne kemi shumë për të bërë, detyrime sesa të drejta për të thënë se sa shumë kemi bërë. Besoj se me çdokënd prej jush që udhëhiqet nga arsyeja dhe nga faktet është e qartë që kemi bërë jo pak në funksion të krijimit të kushteve për të pasur një mjedis arsimimi dinjitoz. Reforma po krijon dita ditës kushte për të pasur mësues sipas meritës, tekste sipas ambicies, mësimdhënie sipas nevojës dhe për të pasur “rilindjen” e trekëndëshit të suksesit shtet-mësues-prindër. Ka shumë për të bërë, por jam shumë optimist. Shumë procese kanë nisur dhe po bëhen bashkë me ju”, tha Rama.
a.ç