Viktor Malaj
“Për shoqërinë dhe përpara Zotit një njeri i ndershëm vlen më shumë sesa të gjithë rufjanët e kurorëzuar me pushtet gjatë gjithë kohërave“/Tomas Pein*
Nuk ka asnjë dyshim se bisedimet dhe arritja e marrëveshjeve me vendet fqinj, sidomos të atyre marrëveshjeve që kanë të bëjnë me kufirin ndarës gjeografik, janë ndër punët më të vështira të çdo qeverie, qoftë ajo shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër. Bisedimet dhe arritja e marrëveshjeve me shtetin grek, për arsye historike dhe politike, mbetet një nga gjërat më të vështira për qeverinë shqiptare, por edhe një nga gjërat më të domosdoshme.
Është e domosdoshme për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, por, jo më pak, edhe për qeverinë dhe popullin fqinj grek. Aktualisht, detyra dhe puna e qeverisë shqiptare në bisedimet dhe marrëdhëniet me Greqinë vështirësohet akoma më shumë edhe për dy shkaqe të tjera, veç atyre të përhershme: Së pari, bisedimet dhe përpjekjet për të zgjidhur disa probleme dhe mosmarrëveshje me shtetin grek zhvillohen në kushtet e ekzistencës gati dhjetëvjeçare të një marrëveshjeje midis qeverive respektive mbi ndarjen e kufirit detar, të një marrëveshjeje haptas të dëmshme për Shqipërinë, por edhe që është bërë nul nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të RSH në prill 2010.
Së dyti, bisedimet midis dy qeverive zhvillohen në një moment të rëndësishëm politik dhe historik kur Shqipëria pret të marrë dritën jeshile drejt BE dhe Greqia, si anëtare e kahershme e tij, kërcënon “me marifet” për vendosjen e vetos, nëse qeveria shqiptare nuk iu nënshtrohet kërkesave greke.
Ndërsa, personalisht, besoj deri diku se qeveritarët e rinj grekë të shekullit të 21-të do të jenë pak më të iluminuar dhe më të arsyeshëm se paraardhësit e tyre, ajo që bën përshtypje negative është qëndrimi vonues dhe dëmtues i Presidentit të RSH në këtë “mesele”.
Bazuar në Kushtetutën e RSH, Ligjin 43/2016 “Për Marrëveshjet Ndërkombëtare në RSH”, si dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të prillit 2010 është mjaft e qartë se bisedimet dhe marrëveshjet për ndarjen e kufirit detar me Greqinë i bën Qeveria shqiptare pasi Presidenti i vendit i ka dhënë asaj autorizimin për plotfuqishmëri në ndjekjen e gjithë procedurës përkatëse.
Një nga shkaqet pse Gjykata Kushtetuese e RSH e rrëzoi marrëveshjen e bërë nga Qeveria Berisha në 2009 është fakti se Presidenca u anashkalua, as nuk u informua, as nuk u pyet dhe as u bënë këshillime të përbashkëta. Anashkalimi shpreh sëmundjet kronike të parakut Berisha, megalomaninë e tij, si i pari i vendit që merr vendime që të tjerët duhet vetëm t’i zbatojnë me përulësi, dhe përçmimi iu takon atyre që nuk i nënshtrohen për gjithçka. Ndërkohë që për çështje të tilla madhore edhe sikur të mungonte mekanizmi ligjor duhet të ketë gjithnjë bashkëpunim midis institucioneve kryesore të shtetit shqiptar.
Për arritjen e një marrëveshjeje tjetër me Greqinë lidhur me këtë problem, por edhe për probleme të tjera që kërkojnë zgjidhje, duket se qeveria shqiptare ka vite që bën përpjekje dhe bisedime politike në mënyrë që, në parim, midis dy qeverive të bihet dakord se duhen zgjidhur një herë e mirë disa probleme të mbartura historikisht, zgjidhje që do të ishin në të mirën e dy vendeve dhe me ndikim për mirë në rajon.
Qeveria shqiptare, duke i dërguar Presidentit Meta kërkesën për autorizim për të filluar e përfunduar procesin e negociatave me shtetin grek edhe në aspektin teknik, ka bërë detyrën e saj në përputhje me kërkesat kushtetuese e ligjore.
Dhe, duhet thënë, se aspekti teknik nuk është vetëm delikat dhe i vështirë, por edhe shumë i rëndësishëm. Ligji nuk e detyron qeverinë t’i dërgojë Presidentit listën e emrave të grupit negociator. Megjithëkëtë ka vepruar drejt, pasi dërgimi i kësaj liste dhe diskutimi me Presidentin rreth saj dhe përmbajtjes së projekt-marrëveshjes i shërben më mirë interesit kombëtar.
Në këtë kuptim dhe për këtë qëllim institucionet shqiptare duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin, veçanërisht për probleme të këtyre përmasave dhe rëndesave, pavarësisht konsideratave që ata kanë për drejtuesit e njërit apo tjetrit institucion. Konsideratat personale shprehen në një kohë tjetër, ato hidhen në librat që shkruhen kur shtetarët largohen nga politika.
Duke u nisur nga nevoja e bashkëpunimit për të realizuar një marrëveshje në dobi të vendit, Presidenti Meta kishte të drejtë të kërkonte informacion shtesë edhe më të hollësishëm.
Por Presidenti nuk kishte asnjë të drejtë ligjore dhe as morale që, pasi iu dërguan informacionet e kërkuar herën e parë, të fillonte të hidhte “vickla” duke kërkuar gjëra të tjera shtesë dhe jo fort të nevojshme. Ky qëndrim është pengues për fillimin në kohë të bisedimeve teknike dhe politike rreth problemeve midis dy vendeve.
Ato që kërkoi Presidenca shqiptare dhe shqyrtimi i dokumentacionit përkatës, nëse vullneti është i mbarë do të duhej të përfundonin brenda një jave. Kur Presidenti i Shqipërisë e vonon procesin me muaj merret lehtë me mend se sa për keq ndikon në tërësi, por veçanërisht për vendimin që pritet të marrë BE për çeljen e negociatave me Shqipërinë. I parë problemi në këtë kontekst kushdo ka të drejtë të pyes: përse e bën Presidenti shqiptar një “film” të tillë?
Para dy javësh ai tha se donte “ta qepte mirë” nga ana ligjore etj. Logjikisht kjo është e drejtë, por vargu i disa veprimeve të tij, përpara dhe pas zgjedhjes President, të çojnë në përfundimin se z. Meta po e përdor postin presidencial për të bërë politikë në shërbim të familjes së tij politike dhe biologjike dhe në shërbim të politikës së vjetër shqiptare.
Produkti i kësaj loje është i dëmshëm për interesat kombëtare. Jam i vetëdijshëm se z. Meta nuk ka për qëllim të dëmtojë interesat kombëtare, por pasoja që vjen nuk ka emër tjetër, ndonëse nuk vjen nga qëllimi i drejtpërdrejtë.
Arsyeja e shëndoshë ta do që, përveç këshilltarëve politikë, juridikë dhe ushtarakë të Presidencës, z. Meta duhej të konsultohej edhe me juristët më të mirë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe me konstitucionalistët më të mirë të Shqipërisë. Në vend të kësaj ai zgjodhi të konsultohej dhe të merrte mendimin e atyre që patën ideuar, drejtuar dhe miratuar marrëveshjen antikushtetuese të 2009, me Sali Berishën, Tritan Shehun etj.
Këto veprime të tij ishin qartazi karshillëk ndaj qeverisë të sotme, një përpjekje për ta futur atë në kurthin e mosdurimit dhe, sidomos, për ta njëjtësuar me qeverinë e mëparshme që pati bërë marrëveshjen e gabuar dhe të rrëzuar.
Kërkesa e tij për të ditur hollësi rreth bisedimeve të mëparshme politike midis dy qeverive ngjan si përpjekje për të gjetur një “gremç” në të cilin të varen pretekstet e rreme për ta njëjtësuar procedurën e ndjekur sot me atë të ndjekur para dhjetë viteve në bisedimet me shtetin grek.
Duke vërejtur qëndrimet të krijohet përshtypja sikur Z. Ilir Meta, si atëherë kur ishte në pushtet me PS (2013-2017), ashtu edhe pas kësaj kohe ndihet shpirtërisht, moralisht dhe politikisht pjesë e establishmentit politik berishist. Kjo të shtyn drejt bindjes se marrëveshja elektorale e vitit 2013 ka qenë më tepër e imponuar nga faktori politik ndërkombëtar dhe nga vetëdija për diskreditimin e pushtetit berishist në të cilin bënte pjesë dhe kishte kontribuar jo pak edhe Meta me partinë e tij.
Dëshira për të qenë gjithmonë në pushtet e ka shtyrë atë të endet sa në njërin krah politik tek tjetri. Përveç mungesës së idealizmit, karakteristikë e shumicës së politikanëve shqiptarë majtas e djathtas, Metën e lidhin me Berishën edhe shumë momente të rëndësishme politike në vend.
Ata i lidh ngjarja e 21 janarit 2011, ku njëri është vrasësi i papenduar dhe tjetri miratuesi moral i aktit; i lidhin aferat me zë e figurë, ku njëri është projektuesi i veprime të paligjshme financiare dhe tjetri është xhandari që mban shkopin mbi kokën e gjyqtarëve për të urdhëruar pafajësinë e bashkëqeverisësit; i lidh Reforma në Drejtësi, ku njëri është i frikësuari i madh dhe tjetri, po për këto arsye, është “garantuesi” i imponimit të “konsensusit” reformues në mënyrë që çfarëdo reformimi të ndodhë të mos prekë mëkatarët kryesor; i lidh Çadra e Kotësisë në bulevard, ku njëri ishte ideatori dhe tjetri simpatizuesi, frymëzuesi dhe syshkelësi i çadristëve; i lidh marrëveshja antikushtetuese me Greqinë e vitit 2009, ku njëri është drejtuesi dhe urdhëruesi i nënshkrimit të saj dhe tjetri është avokati moral dhe politik i aktit dhe aktorëve.
Duke qenë në pozita të tilla dhe duke pasur përballë një kundërshtar politik mospërfillës dhe jo fort të përulur si z. Rama, Berisha dhe Meta, herë me marrëveshje dhe herë me nënkuptime, kanë punuar dhe punojnë vetëm për një qëllim: të thyejnë pushtetin aktual ramist. Deri këtu mund të mirëkuptohen, por jo kur kur përpjekjet e tyre mund të kenë dëmtuar ose dëmtojnë interesat afatgjatë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Por, aktet e dërgimit të letrës z. Donald Tramp pas votimit shqiptar në OKB kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit apo dhënia shtypit e teksteve të korrespondencës zyrtare midis Qeverisë dhe Presidencës i dëshmojnë opinionit se niveli i Presidencës së sotme, pavarësisht rafinimit, nuk është më i lartë se ai paraardhës që kryesohej nga Bujar Nishani.
Shenjat po tregojnë se zgjedhja e Metës në funksionin më të lartë dhe të nderuar politik, në atë të Presidentit të Republikës ka qenë një gabim i shumicës parlamentare dhe, veçanërisht, i z. Rama. Jo vetëm Ilir Meta por, sipas bindjes time, në postin presidencial nuk duhen vënë asnjëherë kryetarë partish.
Në postin presidencial, si tempull i dëshiruar i unitetit kombëtar, nuk duhen vënë skifterë politikë, nuk duhen vënë njerëz që e keqpërdorin atë pushtet për t’i shërbyer të shkuarës apo të ardhmes së vet politike, që e përdorin si gurëhedhës ndaj kundërshtarëve politikë dhe si qendër bamirësie për ata që i kanë ndihmuar apo shpëtuar në karrierën e vet politike.
Presidenca nuk iu duhet besuar atyre individëve shqiptarë që, pas përfundimit të mandatit presidencial, mendojnë dhe përpiqen të mbeten të kacavarur përsëri në politikë.
Z. Meta tha pak ditë pas zgjedhjes President se ia kishte dorëzuar teserën e partisë Petrit Vasilit, por e kishte porositur ta ruante fort, gjë që nënkupton se pas mbarimit të mandatit politik si figurë e unitetit kombëtar do të nxjerrë kthetrat e skifterit politik partiak.
Në botën e qytetëruar, ata që kanë nderin të ulen në poltronin e Presidentit, menjëherë pas lënies së tij largohen “me lezet” nga politika aktive dhe mbesin figura referuese për politikën dhe popullin.
Me qëndrimet dhe veprimet e tij më të fundit, fatkeqësisht, z. Meta po përpiqet të arrijë disa synime: të dobësojë pozitat politike të kryeministrit nëpërmjet vonesës dhe, pse jo, edhe dështimit të marrëveshjes së re ndërqeveritare; të mbështesë propagandën politike të opozitës, sidomos të partisë së tij, se qeveria aktuale ka acaruar dhe përkeqësuar marrëdhëniet me fqinjët; të shpëtojë sadopak nderin e rrëgjuar dhe të rrënuar të pushtetit berishist dhe, sidomos, të Sali Berishës duke u përpjekur të krijojë iluzionin se edhe marrëveshja e mëparshme, pavarësisht vendimit të GJK, nuk ka qenë e dëmshme; të ndikojë në mosarritjen e marrëveshjeve ndërqeveritare të shpejta dhe, pastaj, çdo dështim për t’u afruar me BE si rezultat i konflikteve me fqinjët, ta paraqesë si dobësi dhe të metë të qeverisë Rama dhe, nëse mundet, tërthorazi t’iu thotë shqiptarëve se “shpëtimin” duhet ta presin nga çifti politik Basha-Kryemadhi.
Vonesat e pakuptimta dhe të pajustifikuara të Presidencës në dhënien e autorizimit për bisedime me qeverinë greke lidhur me përcaktimin e kufirit detar mund t’i shërbejnë kujtdo përveç Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Lojëra” të tilla politike, të dëmshme dhe të rrezikshme, nuk meritojnë përveçse përbuzje dhe braktisje morale.
* Thomas Paine-Filozof, teoricien dhe aktivist politik anglo-amerikan i shek.18-19.