Komisioni Disiplinor i Kolegjit të Apelimit shtyn për në 7 mars seancën për shqyrtimin e procedimit displinor kundër Komisionerit Publik Heral Saraçi. Seanca do të mbahet në orën 10:00. Komisioni disiplinor përbehet nga gjyqtarët Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari, ndërsa i pranishëm në seancë është dhe Saraçi.
Në seancën e sotme, komisioneri Saraçi i cili u paraqit pa avokat mbrojtës, parashtroi tre kërkesa proceduriale, duke kërkuar më shumë kohë për të verifikuar 600 faqe dokumentacion të ONM-së.
Saraçi: Një nga kërkesat ka të bëjë me zgjatjen e afatit që më është caktuar deri sot me 5 mars. Këtë e argumentoj duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për të më dhënë mundësinë të mbroj të drejtat e mia në një proces të rregullt ligjor dhe brenda afateve të arsyeshme. Procedimi ka nisur nga data 14 shkurt dhe nga data 14 deri më sot janë rreth 20 ditë.
Kohë e pamjaftueshme për mua që të verifikoj të gjithë dokumentacionin që më është vënë në dispozicion si nga ONM ashtu dhe nga Komisioni i Disiplinës në momentin u depozitua raporti. Për këtë arsye ndodhem në një pamundësi për të shfletuar një material prej 600 faqesh, pa llogaritur provat dhe faktet e mia që i kam këtu dhe nuk i kam depozituar akoma.
Kërkesa e dytë ka të bëjë për vetë natyrën e procesit i cili zhvillohet ndaj komisionerit publik dhe parashikon një sërë elementësh të supozuara për shkelje disiplinore që në të vërtetë janë veprimtaria e institucionit të komisionerëve publik. Deri më sot në procedurën e zhvilluar organi nuk është shprehur në lidhje me juridiksionin dhe kompetencën. Për këtë arsye do të doja të shpreheshit në lidhje me juridiksionin dhe kompetencën për të shqyrtuar të gjithë ato çështje që janë parashtruar në kërkesën e ONM.
Kam kërkuar gjithashtu që duke qenë se institucionet e vettingut janë institucione publike kushtetuese dhe janë të zgjedhura nga Kuvendi si palë e interesuar dhe me një interes legjitim në këtë proces duhet të jetë dhe Kuvendi i Shqipërisë.
Komisioneri Publik është një institucion i ngritur si pjesë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së vetingut.
Nuk dihen se cilat janë shkeljet e pretenduara por në rast se Saraçi shkarkohet nga detyra, ai do të zëvendësohet nga një prej komisionerëve zevendësues Aldona Sylaj dhe Dariel Sina, të cilët kanë marrë secili nga 6 vota në komisionin parlamentar ad hoc.