1 minutë e 10 sekonda. Kaq i është dashur 4 grabitësve për të nxjerrë 3 kasafortat e filialit të postës në Rrëshen. Grabitja spektakolare si në filma ndodhur më 14 shkurt, është fiksuar nga kamerat e sigurisë. Report TV ekskluzivisht sjell videon e kësaj grabitje ekzekutuar me përpikmëri. Autorët ende të lirë. Policia gjen vetëm kasafortat e boshatisura.
Report Tv ka siguruar këtë video ekskluzive ku është fiksuar e gjithë grabitja e postës së Rrëshenit mëngjesin e 14 shkurtit. Fillimisht grabitësit shpërthejnë derën kryesore të filialit të postës. Me shpejtësi ata hynë brenda ambienteve të postës në orën 03 e 56 minuta e 16 sekonda.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar 4 grabitësit tre prej të cilëve veshur me rroba të zeza, ndërsa një tjetër me një xhup të kuq. Të katër grabitësit janë të maskuar dhe me doreza për mos të lënë asnjë gjurmë. Veprimet e para që ata ndërmarrin lidhen me identifikimin e kasafortës.
Njëri nga 4 grabitësit pasi e ka gjetur kasafortën me ngjyrë të bardhë e rrëmben dhe largohet me shpejtësi.
Ndërsa tre të tjerët bëjnë një kontroll të shpejtë për të identifikuar nëse ndodhej një kasafortë e dytë apo dhe para cash në sirtarë.
Ata arrijnë të gjejnë edhe kasafortën e dytë të cilën e tërheqin zvarrë duke e nxjerrë nga posta.
Më pas siç shihet nga pamjet kur ora shënonte 03:56 minuta dhe 33 sekonda i vjen radha për tu tërhequr edhe kasafortës së tretë.
Në momentin kur të treja kasafortat janë nxjerrë nga filiali i postës, grabitësi më xhup të kuq ndërmerr kontrollin e fundit nëpër sirtarë. Nuk gjen asgjë me vlerë dhe largohet i fundit.
Të katër grabitësit largohen nga e majta e postës së Rrëshenit ku kanë ngarkuar më pas në makinë tre kasafortat kur ora shënonte 03.57 minuta e 9 sekonda. I gjithë ky operacion grabitje në perfeksion të plotë ka zgjatur vetëm 1 minutë e 10 sekonda mbase duke vendosur një rekord të ri për kohën e një vjedhje të tillë. (shqiptarja.com)