Nga Artur Ajazi
Situata më e fundit në selinë blu, ka sjellë lëkundje dhe ndryshime të cilat tashmë janë konturuar mes dy grupimeve, të përfaqësuara nga Lulzim Basha dhe një pakicë e cila ka mbetur besnike e Sali Berishës. Duket qartë se Lulzim Basha nuk e do më Berishën në PD, dhe kjo për shumë e shumë arsye. Natyrisht jo pa ndihmën e Berishës, ai e rimori sërish PD edhe pas humbjes katastrofale në zgjedhje. Kaq i mjaftonte si fillim. Por zhvillimet e fundit, kanë treguar se Partia Demokratike, gjithnjë e më shumë po shkon drejt një ndarje të thellë, qysh pas daljes së grupimit “Lëvizja për ringritjen e PD-së”.
Në këtë ndarje, e cila po kthehet në shpërbërje, de facto edhe Berisha është pjesë e një celule, që realisht nuk mbështet Bashën në zhvillimet e fundit brënda partisë. Debatet fillimisht treguan se palët nisën të sfidonin njëri-tjetrin, duke kërkuar dhe vëmendjen liderit historikë të PD. Do të ishte ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, një nga besniket e Berishës , e cila do ta vlerësonte atë si “personin që mban Bashën kryetar të PD, dhe po të donte ai, Basha ikën brenda 24 orësh”.
Deklarata e saj në fakt ishte edhe si sfidë ndaj Bashës, i cili qysh në hartimin e listave të deputetëve (krahas fanatikëve të tij) po kërkonte të distancohej gradualisht nga Berisha. Megjithë heshtjen e Lulit, ishte zoti Berisha që ndjeu disi peshën e fajit, pasi ishte ai personi që katapultoi në krye të PD personin që humbi zgjedhjet, shkatërroi partinë, dhe që rifitoi postin me vota të blera nga besnikët e tij në rrethe. Në fakt deklarata e zonjës Topallit, kishte nisur ti “kriste” marrëdhëniet mes Lulit dhe Berishës, pasi ishte ky i fundit që në daljet e tij, nisi të atakonte Bashën, por duke qenë mjaft rracional. Por gjërat nisën të ndryshojnë, dhe në krah të Lulit nisën të dalin me deklaratat dhe veprimet e tyre edhe ish-besnikët e dikurshëm të Berishës.
Ndër ata ishte do të ishte edhe Paloka që do të deklaronte se “askush nuk mund të shkarkojë kryetarin e partisë, qoftë edhe Berisha, ndërkohë që ai ka marrë votat e anëtarësisë”, natyrisht duke dalë edhe kundër zonjës Topalli dhe zotit Patozi. Por zoti Berisha qysh nga ajo kohë dhe vazhdimisht , ka vazhduar të rezistojë dhe të tregojë se “ i ka akoma ai në dorë fatet e PD”, edhe pse Luli kishte nisur të tregonte se “ishte ai në krye të PD, kurse Doktori është thjeshtë historia e saj ”.
Ardhja në PD e deputetëve (prurjeve të reja) të tillë si Salianji apo dhe Duma, gjetjet specifike të Lulit, do të sillnin të tjera surpriza në deklarata televizive, dhe kulmi arriti kur Grida do ta quante Berishën “thjesht koleg”. Apo mjafton të kujtojmë deklaratën e Lulit e bërë gjatë fushatës elektorale se “demokratët e dinë shumë mirë kush është kryetari i PD, zoti Berisha nuk ka asnjë lidhje me listat, ishte vendimi ekskluziv i imi. Nuk ia kam lejuar vetes të komunikoj me Berishën për zgjedhjen e kandidatëve”.
Edhe periudha më e fundit, që lidhet me “krushqinë” me LSI, apo dështimet e protestave “popullore” kanë qenë sërish “ekskluziviteti” Lulit, duke e rrënuar edhe më shumë atë parti. Pavarisht se i pranishëm në “aksionet” e fundit opozitare të PD, duket qartë se zoti Berisha nuk është ndjerë mirë, nuk ka qenë entuziast, dhe nuk ka mbështetur me bindje politike Lulzim Bashën, tek shikonte në rreshtat e fundit të turmës ish-bashkëpunëtorët e tij, të përzënë dhunshëm nga partia, apo kur nuk e futën fare në listën e folësve në podium. E thënë shkurt, Lulzim Basha nuk e do më Berishën në Partinë Demokratike, dhe ka kohë që nuk dëgjon as këshillat e tij. Nuk e do sepse “hija” e tij e dëmton, sepse prania e tij e zhvlerëson si kryetar apo lider, duke u ndjerë gjithmonë i dyti, dhe jo i pari në parti.
Por një arsye tjetër që e bën më të fortë bindjen se, Lulzim Basha nuk e do më Berishën në PD, është edhe fakti që lidhet me ngjarjet e fundit ku përfliten familjarët e Doktorit, apo dhe paralajmërimet e Kryeprokurores Marku se “do të hapen edhe dosjet e vjetra të mbyllura nga Adriatik Llalla”, duke i sjellë në vëmëndje atij rrugën e “Kombit” apo afera të tjera. Luli ka kohë që ka nisur të mos dëgjojë asnjë këshillë të Doktorit, duke krijuar terrenin e duhur që nesër edhe ta “shesë” atë. Ashtu sikurse ka bërë me partinë, Lulzim Basha natyrisht do të bëjë edhe me Sali Berishën, në këmbim të “qetësisë” personale, për të mos u bezdisur asnjë ditë të vetme nga Arta Marku deri në humbjen e rradhës në zgjedhjet e ardhshme. (Tema)