Gjykata e Vlorës la dje në burg Kasëm Pirjasin dhe Hysnie Hoxhallarin, të akuzuar për vrasjen dhe më pas djegien më 21 janar të këtij viti të Selkie dhe Olsi Hoxhallarit, nënë e bir. “E prekur” nga humbja e të shoqit dhe vjehrrës së saj, Hysnia në shenjë zie ishte e veshur e gjitha me të zeza, teksa doli para trupit gjykues. Ata u akuzuan për veprat penale “Bashkëpunim në vrasje” dhe “Moskallëzim krimi”.
Pas ballafaqimit me provat e Prokurorisë, është dhënë edhe vendimi për arrest në burg, ndërkohë që më pas Gjykata ka shprehur dhe moskompetencë për çështjen, duke ia kaluar tashmë Krimeve të Rënda në Tiranë. Hysnie Hoxhallari dhe Kasëm Pirjasi janë sjellë të veçuar në Gjykatë, ndërsa seanca është zhvilluar e përbashkët. Që në fillim të seancës, trupa gjykuese e pyeti 32vjeçaren nëse ndihej e penduar.
Përgjigja e saj ishte shumë e thatë, “po, jam penduar, madje, shumë”.
Më tej, ajo ia ka hedhur fajin e krimit të rëndë të dashurit të saj, duke mos pranuar që kishte marrë pjesë në krimin e kryer, sipas saj, nga Kasëm Pirjasi.
“Ndjehem e penduar se nuk kam kallëzuar krimin, por isha e kërcënuar dhe i druhesha opinionit publik për gjithçka kishte ndodhur. Kasëmi erdhi dhe më tha se mbaroi gjithçka, mbasi kishte vrarë dhe vënë flakën banesës. Më kërcënoi se, nëse do të tregoja, do të më vriste mua dhe fëmijën. Por ndjehem e penduar, që fsheha armën e krimit dhe nuk kallëzova për ngjarjen e rëndë”, ka deklaruar gjatë seancës Hysnie Hoxhallari.
Deklarata e saj është e njëjta më atë çfarë ajo ka pranuar dhe pranë grupit hetimor, pas arrestimit. Ndërkohë, të vetmet fjalë të të akuzuarit tjetër Kasëm Pirjasi, 26-vjeçar ishin se “jam i shokuar”.
Ai deklaroi se i përmbahej deklaratës së dhënë para grupit hetimor. Sipas të dhënave, para grupit hetimor i riu është shprehur se “e kreva vrasjen pasi isha xheloz për Hysnien, dhe nuk e takoja dot pas kthimit të burrit të saj nga Greqia. Nuk ka pasur persona të tjerë në momentet e kryerjes së krimit. I vura flakën banesës për të humbur gjurmët, pasi vrava Olsi dhe Selkie Hoxhallarin”, ka deklaruar ai.
Sipas të dhënave, Hysnie Hoxhallari dhe Kasëm Pirjasi kishin një lidhje dashurie mes tyre prej disa vitesh, ndonëse bashkëshortja e 26-vjeçarit ishte kushërirë e dytë me Hysnien.
Policia ka pasur dyshime të forta mbi 32-vjeçaren dhe implikimin e saj në ngjarje.
Dyshimet e Policisë u shtuan kur ajo kërkoi me ngulm shembjen e ambientit ku u vranë dhe më pas u dogjën Selkie dhe Olsi Hoxhallari. Pas kësaj, gruaja është vënë në përgjim nga ku është rënë edhe në gjurmë të Kasëm Pirjasit.
Pas ngjarjes, rezultoi se 32-vjeçarja i kishte dërguar atij një sms: “Na more në qafë. Çfarë na bëre, nuk duhej të ndodhte kështu. Na fute në dhe”.
Pas këtij mesazhi, u konfirmua edhe dyshimi i Policisë për bashkëautorësinë në krimin e rëndë, që i mori jetën nënë e bir. (Panorama)