Nga Ben Andoni
Sfida e segmentit të fundit të veprimtarisë politike të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit është gjithnjë më e vetme. I njohur për forcën e tij së të gjitha përmasave, këmbënguljen dhe karizmën e madhe në formacionin e vet, Sali Berisha e ka shtuar dozën e përballjes publike me ato gjëra që ai i konsideron si e keqja e madhe e kohës sonë.
PD-ja, vetë, realisht është e ndarë në dy krerë. Në atë që përfaqëson Lulëzim Basha, kryetari aktual i PD-së ku në çdo fjalim e përcjellin me duartrokitje, kryesisht prej servilosjes së frikshme të parlamentarëve( kjo nuk ndryshon shumë me kundërshtarët e tyre të PS-së); dhe në befjet e Berishës, që më shumë e dëgjojnë sot nga frika e asaj që përfaqëson ende fuqia e tij e padukshme.
Po realisht cila është forca e padukshme e Sali Berishës në ditët tona dhe si e administron informacionin masiv që i përcillet?! Për hir të së vërtetës, ajo, tashmë e kalon kapacitetin dhe infrastrukturën e tij për ta ndalur. Në morinë e akuzave që derdhen prej Berishës, shumë syresh kanë rezultuar të vërteta të hidhura, që nuk janë artikuluar nga partia e tij, por thjesht nga burimet e tij personale.
Dhe, për këtë qeverisja Rama duhet të skuqet realisht. Anipse, një pjesë jo e vogël e denoncimeve e kanë nxjerrë disi qesharak ish-kryeministrin e vendit. Dhe, kur mendon se vendi ynë, e ka të papërcaktuar dhe të pasanksionuar ruajtjen e figurave që kanë qenë në poste të larta, atëherë kuptohet se jo pak herë Berisha me akuzat dhe përballjet e tij ka dalë jo thjesht i pavërtetë, por edhe si jo normal. Ai, vetë, nuk i bën përshtypje por me vetëmohim ka vazhduar udhën e tij në demaskimin e asaj që ai vetë e konsideron fatkeqësia e vendit.
E para është bërë duke i mbajtur krahun kryetarit aktual me mbështetësit e tij dhe e dyta që është më e dukshme duke bërë udhën e tij vetanake, disi larg PD-së alla-Basha. Për ata që i besojnë Berishës, shfrimet e politikanit të vjetër kanë vetëm një arsye: Ato duan të demaskojnë morinë e sharlatanëve dhe shpifësve të çdo lloji që na rrethojnë dhe kanë uzurpuar gjithçka. Në thelb është e drejtë, por nuk mund të bëhet nga një zë i vetëm, kur mendon se nën drejtimin e tij kanë gjeneruar jo pak të tillë. Cili vallë mund ta bëjë më mirë se ai? Por përse vallë këtë nuk e bëjnë strukturat e PD-së? Këto të fundit janë apatike dhe shumë të pabesueshme.
E për fatin e keq të Berishës, PS-ja e ka zbehur shumë rolin e tij me faktorizimin e kryetarit të ri të PD-së Basha. Ndihma e Edi Ramës në këtë drejtim ka qenë shumë taktike por edhe e çmuar dhe këtë e shikon sesa bukur ai i ka mundësuar atij të bëjë rolin e krye-opozitarit në kurriz së të gjithë atyre që mund të ishin zëra të tjerë alternativë të spikatur. Ndërkohë Lulzim Basha duket krejt i interesuar ta lërë vetmitar në këtë luftë Berishën, që kohët e fundit ka artikuluar për një PD gjithpërfshirëse.
Pikërisht, atë lloj politike të PD-së që e kërkuan të gjithë kundërshtarët e Bashës dhe tashmë janë të përjashtuar prej saj, madje edhe me dijeninë e ndihmën e Berishës. Kjo lloj forme, duket se përmban edhe interesin më të madh për shmangjen e Berishës, pasi PD-ja e vitit 2018, po i vjen mirë që Berisha të mbytet në detin e informacioneve të veta. Me sa duket, ky po konsiderohet edhe si fundi më i mirë për të, nga ata që presin ta konsolidojnë veten tek PD-ja, por edhe për PS-në, që i pëlqen ndarja dhe dobësia e këtij formacioni dhe që nuk e llogarit fare lidërshipin e Bashës.
Sali Berisha po humbet pak e nga pak nga mungesa e mbështetjes së duhur të PD-së dhe zbehja e interesit për figurën e tij, që vjen nga relativiteti i kundërshtive të vazhdueshme. Mbi të gjitha, nga fakti që Berisha vetë nuk po kupton largimin me nder në segmentin e fundit të karrierës së tij politike, ku ka arritur gjithçka që mundet një qytetar shqiptar, që ka jetuar dhe shërbyer në dy regjime antagoniste. (Javanews)