Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë ka proceduar penalisht katër punonjës të policisë së IEVP Fier pasi nga verifikimet e bëra rezulton se kanë ushtruar dhunë ndaj një të burgosuri në këtë institucion të vuajtes së dënimit.
Sipas një njoftimi të shpërndarë për mediat nga Drejtoria e Burgjeve, në datë 23.02.2018, tre të dënuar janë shoqëruar forcërisht nga Grupi i Sigurisë së Institucionit në ambjentet e veçanta të izolimit, pasi kishin kryer shkelje të rregullores.
Gjatë shoqërimit të të dënuarve, punonjësit e policisë së lartpërmendur kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të dënuarit K.G. Pas hetimeve të kryera nga SHKBB rezultoi se punonjësit e policisë së Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier R.L., A.H., Sh.S. dhe B.S. kanë konsumuar elementë të veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, e parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal. Materialet proceduriale i kaluan për ndjekje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier./a.m.