Drejtorja e Komunikimit e Shtëpisë së Bardhë Hope Hicks, një nga ndihmëset më afatgjata të presidentit Trump, po dëshmon përpara një komisioni të kongresit që po heton rreth lidhjeve të mundshme të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.
Dëshmia me dyer të mbyllura, po zhvillohet në Komisionin e zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve. Para se të bashkohej me ekipin elektoral të zotit Trump, Hope Hicks, ishte zëdhënëse për marrëdhëniet me publikun për vajzën e zotit Trump, Ivanka Trump, në biznesin e saj të veshjeve. Javët e fundit komisioni thirri për dëshmi ish këshilltarin e lartë të presidentit, Steve Bannon.
Shtëpia e Bardhë nuk e përdori atë që njihet si “privilegj ekzekutiv” për dëshminë e tij, por punoi për të kufizuar gamën e pyetjeve të cilave ai do t’u përgjigjej, duke përgatitur një listë të tyre.
Nuk është bërë ende publike se me çfarë pyetjesh do të përballet 29-vjeçarja Hicks. Paraqitja e saj në janar përpara të njëjtit komision u përfshi nga mosmarrëveshje lidhur me pyetjet të cilave do t’u përgjigjej. Një pikë e hetimit të sotëm ka të ngjarë të përqëndrohet në rolin e saj në hartimin e një deklarate kontradiktore, lidhur me një takim të qershorit 2016, të zhvilluar në kullën Trump në Nju Jork mes djalit të madh të zotit Trump, Donald Trump Jr., dhëndrit të presidentit, Jared Kushner, si dhe menaxherit të fushatës Paul Manafort, me një avokate ruse.
Ligjvënësi republikan Michael Conaway, që drejton komisionin tha dje se “nuk do të habitej” nëse zonja Hicks do të refuzonte t’u përgjigjej pyetjeve të caktuara për arsyen se zoti Trump ka kërkuar të zbatohet “privilegji ekzekutiv” për të mbajtur sekrete biseda që ai kishte zhvilluar me të. (Tema)