Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i ftuar në studion e Report Tv komentoi akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha në adresë të kreut të Forcës Detare Artur Meçollari, një prej negociatorëve të palë shqiptare për marrëveshjen e Detit me Greqinë, i cili sipas tij është spiun dhe sigurims.
Koçi tha një qëndrim i tillë është presion i drejtpërdrejtë në adresë të Presidentit të Republikës Ilir Meta, për të bllokuar bisedimet me Greqinë.
“Është një presion ndaj Metës për të mos dhënë aprovimin për këtë emër.
Kemi të bëjmë me një qëllim të drejtpërdrejtë, një presion ndaj Metës që të ngurrojë për të firmosur sipas kompetencave që i jep kushtetuta.
Ka edhe një plan tjetër politik, të mos harrojmë që jemi në prag të negociatave, dhe opozitës, z.Berisha, i intereson një mosmarrëveshje me Greqinë që të çojë në një qëndrim jokonstruktiv të Greqisë në këtë proces.
Opozita e quan hapjen e negociatave dështim të saj dhe sukses të qeverisë”, u shpreh Petro Koçi, duke sqaruar se etiketimet e Berishës ndaj Meçollarit nuk qëndrojnë.