“The Rolling Stones” është grupi ikonik i muzikës rok që ka shitur më shumë se 240 milionë albume në gjithë botën dhe ka qëndruar për afro gjashtë dekada në krye të industrisë muzikore.
Përkundër moshës së tyre, anëtarët e bendit britanik nuk e kanë në plan të ndalen dhe tashmë e kanë konfirmuar turneun e ri në Britani të Madhe. Ka pesë vite që Mick Jagger (74 vjeç), Keith Richards (74 vjeç), Ronnie Wood (70 vjeç) dhe Charlie Watts (76 vjeç) nuk kanë performuar në vendin e tyre.
Sipas The Sun, ata do t’i mbajnë disa koncerte në Britani të Madhe, ndërsa koncerti i parë do të mbahet më 22 maj në stadiumin e West Hamit në Londër, para se të performojnë në Old Trafford të Mançesterit më 5 qershor.
Më pas, muzikantët veteranë do të shfaqen në stadiumin Murrayfield të Edinburghut (9 qershor), për të vazhduar në Uells në Principality Stadium të Cardiffit (15 qershor).
Veç vendit të tyre, grupi do të mbajë koncerte edhe në Irlandë, Gjermani, Francë, Poloni dhe Republikën Çeke. Turneu i parë i “The Rolling Stones” në Britani të Madhe ishte mbajtur në vitin e largët 1963, përgatiti Express. (b.an)