Të gjithë shqiptarët që kanë jetuar e punuar në Itali mund të përfitojnë pension nga shteti fqinj, në momentin që plotësojnë kriteret e nevojshme.
Sipas ligjit italian, në momentin kur personi merr vendimin për t’u riatdhesuar përfundimisht në Shqipëri, atëherë mund të marrë pension, bazuar në dy mënyrat e përllogaritjes sipas sistemit kontributiv dhe atij retributiv.
Mosha 66 vjeç e 7 muaj është kushti i parë për të përfituar pension, ndërsa kriteri i dytë është minimum 5 vite kontribute. Ndërkaq, punonjësit e siguruar deri në datën 31.12.1995, kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se mund të plotësojnë të paktën 20 vjet kontribute dhe punonjësit e siguruar pas datës 31.12.1995, kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se ata mund të kenë jo më pak se 5 vjet kontribute dhe e përfitojnë pensionin në moshën 70 vjeç.
Por në rast se kandidati është regjistruar pranë INPS dhe ka paguar kontribute mbas datës 01.01.1996, në rast se merr statusin e të riatdhesuarit, përfiton pension me moshat zyrtare të daljes në pension në Itali, pa qenë domosdoshmëria e plotësimit të moshës 70 vjeç, me jo më pak se 5 vite kontributive. Aktualisht, mosha e daljes në pension për burrat është 66 vite e 7 muaj.
Aktualisht janë rreth mbi 500 mijë emigrantë në Itali. Nënshkrimi i një marrëveshjeje bilaterale me shtetin fqinj do të sillte edhe më shumë përfitime për emigrantët shqiptarë, sepse do të mundësonte llogaritjen e viteve të kontributeve në të dy vendet. Ndërkaq po punohet për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në mënyrë që edhe ata emigrantë që kanë punuar në të dyja vendet, e jetojnë në Itali, të mund të përfitojnë pension, pa qenë e nevojshme të riatdhesohen. Së shpejti pritet që Shqipëria të finalizojë marrëveshjet me Italinë dhe Greqinë pasi në këto dy vende jeton dhe punon numri më i madh i emigrantëve shqiptarë./g.sh