Nga Alfred Peza
Komisioneri i Bashkimit Europian Johannes Hahn, ka qenë më i sinqertë se çdo herë tjetër gjatë një interviste për gjermanen “Die Welt” kur tha më në fund publikisht, diçka që të gjithë e dimë se ekziston, por që askush në këto rangje nuk e kishte thënë deri më sot me zë të lartë.
Jo se nuk guxojnë. Pasi nuk është thjeshtë dhe vetëm çështje skrupujsh, kortezie, delikatese diplomatike apo sofistikimi që i bën politikanët e rangjeve të larta, udhëheqësit dhe liderët ti fshehin mendimet e vërteta, prapa gjuhës ezopike të salloneve dhe termave “politikisht korrekt”.
Brukseli vazhdon të jetë kryeqyteti i burokracisë, i paragjykimeve dhe i steriotipeve, ashtu siç është edhe kryeqendra e ëndrrës dhe shpresës për vlera të përbashkëta europiane të popujve, sidomos atyre më të varfërve të këtij kontinenti.
E megjithëse jetojmë në një epokë tjetër nga ajo kur na quanin shprehje gjeografike, apo kur na cilësonin si një rast specifik, nuk kishte dalë ende një burrë apo një grua, që të na e thonte publikisht e në sy, siç na e tha Johannes Hahn, se: “Shqiptarët natyrisht që vuajnë nën një imazh të caktuar”.
Për ta kuptuar më mirë kontekstin, e kësaj shprehje, por rikthej të plotë pasazhin e cituar prej tij:
“Komisioni Evropian do t’u rekomandojë sëshpejti shteteve anëtare – me shumë gjasa deri në verë – që të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe me ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë… Në fund të fundit, do të jenë shtetet anëtare që do të vendosin se kur do të nisin bisedimet e anëtarësimit.
Franca, por para së gjithash Gjermania kanë rezerva të mëdha në rastin e Shqipërisë. Shqiptarët natyrisht që vuajnë nën një imazh të caktuar”.
Pas kësaj lindin disa pyetje të thjeshta në dukje, por që kërkojnë përgjigje të drejtpërdrejta. Sepse prapa tyre, besoj se fshihet pengesa e madhe dhe e vetme që na mundon jo thjeshtë për tu pranuar në përfundim të një procesi sa teknik aq dhe politik integrimi e anëtarësimi procedurial që duhet ta meritojmë.
E kjo pengesë duket se është e karakterit identitar. Për të dalë në këtë përfundim na ndimon vetë Hahn kur flet paralelisht për Maqedoninë dhe Shqipërinë, e në fjalinë pasaardhëse e vendos fort gishtin tregues mbi plagën e BE: Shqiptarët natyrisht vuajnë nën një imazh të caktuar.
Së pari, e formuluar kështu, duket sikur vuatja jonë nga një imazh i caktuar, është e natyrshme. Një natyralitet i tillë mund të vijë jo për arësye perceptimi sipërfaqësor, për për shkaqe të thella historike.
Shkaqet e thella historike në një qasje dhe proces integrues anëtarësimi në BE, mund të jenë ato të natyrës qytetërimore dhe identitare. Të cilat duam apo nuk duam ne, lidhen me fenë dhe me të gjitha elemtentet e tjerë që i bëjnë shqiptarët, të vuajnë natyrshëm nën një imazh të caktuar. Të paktën në raport me maqedonasit, në këtë rast.
Së dyti, shprehja e Hahn tregon se integrimi nuk qenka thjeshtë dhe vetëm një proces standardesh, gradësh lirie e demokracie, reformash, kushtesh, detyrash shtëpie apo teknikalitetesh të tjera të panumërta. Por qenka përveç të gjithave, një proces ikje nga një vuajtje natyrale, prej një imazhi të caktuar që ata e pranojnë se e kanë dhe që ne me sa duket, e bartim thellë brenda nesh.
Së treti, pas kësaj lind pyetja: Ky imazh i caktuar, me çfarë lidhet konkretisht? Lidhet me faktin se jemi ballkanas? Jo. Sepse edhe maqedonasit janë të tillë. Lidhet me faktin se ne kemi problem ende të pazgjidhura me fqinjët? Jo sepse maqedonasit kanë edhe më shumë se ne.
Lidhet me faktin se jemi popull që emigrojmë. Jo, sepse edhe popuj të shteteve brenda BE, janë e do të mbeten ende të tillë. Lidhet me faktin se kemi imazhin e një populli që ka kriminalitet të lartë? Jo sepse kriminaliteti nuk ka nacionalitet dhe mafia e krimi i organizuar nuk kanë lindur në Shqipëri.
Së katërti, atëherë kush është ajo gjëja e natyrshme që na bën ne që të vuajmë nën një imazh të caktuar? Mos është feja? Mos është fakti se na shohin si një popullsi me shumicën e besimit musliman?
Mos kjo lidhet me atë që thuhej në preambulën e Kushtetues së BE, ose siç njihet zyrtarisht “Marrëveshja për Kushtetutën Europiane” e qershorit 2004 që u rrëzua më pas me referendum?
E ku përcaktohej se: BE është një klub i krishterë? Një tezë kjo e hedhur edhe më herët se aq, nga Papa i dorëhequr, gjermani Joseph Ratzinger?! Duke qenë të krishterë ortodoksë, kjo është arësyeja që i bën maqedonasit të mos vuajnë si edhe ne shqiptarët në mënyrë të natyrshme nën një imazh të caktuar?
Së pesti, nëse është kjo (unë nuk do të doja kurrë ta besoja se në vitin 2018 në Bruksel, po na shohin si para 50 vitesh në Uashingtonin zyrtar një pjesë të popullsisë, për nga ngjyra e lëkurës!) atëherë çfarë duhet të bëjnë shqiptarët që ti shpëtojnë “vuajtjes së natyrshme nën një imazh të caktuar”?
A ka njeri në Bruksel që të na e tregojë recetën apo formulën sekrete të ikjes sonë nga ky mallkim paragjykues, në mënyrë që të shpëtojmë edhe ne edhe vetë ata, nga kjo vuajtje e natyrshme nën një imazh të caktuar?
E sëfundi, pse Franca dhe mbi të gjitha Gjermania e ka këtë paragjykim? A duhet të jenë patjetër shqiptarët ata që duhet të vuajnë,- më proeuropianët ndër popujt e vendeve aspirante,- kusuret e steriotipeve të vjetra e të reja të perceptimeve në raport me të shkuarën, apo me krizat e reja në marrëdhëniet e tyre me Turqinë, a gjetkë?!
Pse për shqiptarët e Shqipërisë duhet të jetë ku imazh i caktuar dhe për maqedonasit jo, kur po shqiptarët atje janë përcaktues në shtetformimin e tyre?!
Këto e shumë pyetje të tjera mund të shtrohen pafund, të cilat asesi nuk mund të marin përgjigje shteruese nga radhët e një shkrimi modest si ky.
Por gjithësesi ato të ndihmojnë që ne të jemi më të qartë kur pyesim: Mirë ne që duam, po ata pse nuk na duan?
A është integrimi përveç të tjerash në mos një dashuri me shikim të parë, një qasje e dyanshme proaktive, apo thjeshtë një proces provash të përjetëshme vetë nga njëra palë?
Nëse është i tillë, atëherë mirë ne që e kuptojmë edhe vetë sesa shumë gjëra kemi për të bërë e për të ndryshuar akoma brenda shtëpisë sonë dhe vetes, në mënyrë që të bëhemi një ditë natyrshëm europianë të vërtetë.
Po BE, a ka ardhur momenti që të ndryshojë më në fund diçka brenda vetes së saj, në mënyrë që as shqiptarët, as boshnjakët, as turqit dhe askush nga popujt e tjerë që aspiron për tju bashkuar herët ose vonë familjes së madhe Europiane, të mos vuajë nga “e drejta e saj natyrore” për të na parë “nën një imazh të caktuar”?!(alpenews)