Gilman Lika, kapiteni i Vllaznisë, ka qenë prezent në momentin e agresionit me thikë ndaj trajnerit Ernest Gjoka, pas stërvitjes së të enjtes.
Duke folur për “ShkodraNews”, futbollisti veteran shkodran, që ka luajtur me disa skuadra, ka rrëfyer atë moment, që ngjasonte më shumë me skena filmi aksion, se sa me një realitet, që nuk ka të bëjë me kulturën dhe mikpritjen e kryeqendrës së veriut:
“Isha duke dalë nga stërvitja, bashkë me professor Nestin dhe po bisedonim për stërvitjen.
Pastaj i thashë natën profesor dhe u shkëputa rreth 4-5 metra.
Por, brenda pak sekondave dëgjova që reagoi profesori dhe e kuptova që diçka nuk po shkonte.
Pashë që ai djali e goditi, por edhe profesori iu kundërgjigj.
Pastaj, agresori nxori thikën dhe po ndiqte profesorin.
Ky i fundit gjeti një biçikletë aty afër dhe ia përplasi në trup për t’u mbrojtur.
Pastaj profesori, duke u shmangur, i rrëshqiti këmba dhe ra në tokë.
Aty, agresori u afrua me thikë për ta goditur.
Por, ashtu i shtrirë, profesori e goditi me këmbë në gjoks dhe këtu fitoi shumë kohë.
Më pas u afrova unë dhe i nxora çantën përpara.
Pastaj, u afrua edhe një person i lokalit, që ështa pranë fushës “Reshit Rusi” dhe më pas agresori u frikësua më duket dhe u largua me vrap.
Kishte një thikë të madhe në dorë dhe të them të drejtën na frikësoi edhe neve.
A u frikësuam? Jo, për momentin nuk mendova asgjë, por thjesht ishte puna të ndihmoja profesorin.
Siç e thashë më lart, agresori kishte një thikë të madhe dhe nuk mund t’i afroheshim shumë afër për ta goditur.
Në fakt, u frikësuam të gjithë.
Madje, edhe u shtangëm se si mund të ndodhte një ngjarje e tillë.
As në vitin 1997 të trazirave nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Nuk arrij ta kuptoj.
Kam qëndruar me trajnerin gjatë gjithë kohës pas kësaj ngjarjeje.
E kuptoj që kjo është tepër e rëndë. Na ka flliqur komplet si qytet.
Familja e Gjokës i kërkonte të rikthehej në Tiranë.
Prandaj, personalisht e falenderoj shumë profesorin, pasi po të ishte dikush tjetër në vend të tij, ndoshta do të ishte larguar direkt.
Gjithë Shkodra duhet t’i jetë mirënjohës, sepse po del kundër familjes së tij për të qëndruar te Vllaznia”./a.m.