Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar një manipulim të madh politik akuzat e opozitës për heqjen nga skema e ndihmës ekonomike të rreth 20 mijë familjeve në nevojë. Nga qyteti i Beratit, ku zhvilloi mbledhjen e qeverisë, Rama tha se skema e re do të heqë nga skema të gjithë abuzuesit, duke bërë që paratë të shkojnë te familjet në nevojë.
Sipas tij, skema është e ftohtë dhe kompjuterike, dhe jo si skema e dikurshme, ku merrnin ndihmë ekonomike edhe anëtarët e këshillit bashkiak, duke përmendur këtu Kukësin. Më tej, kreu i ekzekutivit theksoi se do të gjendet rruga për t’i bërë pjesë të kësaj skeme të gjitha familjet në nevojë.
“Ka një manipulim të madh politik, ndërkohë që skema është e njëjta që u pilotua për dy vjet në tre qarqe, Tiranë-Elbasan-Durrës, që nxori mbi 19 mijë abuzues, dhe që tani shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Nëse skema pati suksese në tre qarqet nuk ka pse të mos ketë sukses dhe në qarqet e tjera, për të ndarë në mënyrë të drejtë ndihmën ekonomike. Skema është e ftohtë, kompjuterike, nuk është skema e dikurshme, kur kemi parë gjëra skandaloze, deri kur Këshilli bashkiak i Kukësit i jepte ndihmë ekonomike vetes së vet, gjithë anëtarëve.
Ka një proces riverifikimi dhe rivlerësimi, jemi në këtë proces, ka raste që nuk përputhet. Rezultati që ka dhënë skema me nevojën e një familjeje. Do të gjendet rruga për t’i përfshirë në skemë të gjitha familjet në nevojë. Në këtë fazë do shikoni përditë historia manipulimi mizorisht politik. Ne kemi dyfishuar fondin që iu shkon bashkive, nga 3% në 6% për të përfshirë në programin e ndihmës familjet që bashkia vlerëson se meritojnë ndihmën ekonomike. 70% e atyre që kanë pretenduar të përfshihen dhe nuk janë përfshirë janë persona nga 24-44 vjeç, plotësisht të aftë për punë, por nuk pranojnë të punojnë”, theksoi kryeministri Rama.