Gjykata ka lënë në burg shtetasit Artur Popa, 46 vjeç, lindur në Kukës e banues në Valias, Kamëz, i cili ishte dënuar dhe më parë për trafikim armësh, mbajtje të bombave e minave dhe prodhim e shitje narkotikësh, si dhe Valtor Cala, 30 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Report Tv mësoi se dy personat e arrestuar nuk kanë thënë asgjë para trupës gjykuese.
Operacioni policor:
Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative kishte regjistruar procedimi penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ku si rezultat i një pune disa javore me metoda speciale të hetimit u arrit të dokumentohej aktiviteti i tyre kriminal.
Shtetasi Artur Popa me automjetin e tij me targë AA 811 GF, i shoqëruar nga automjeti tjetër me targë AA 733 DM, që drejtohej nga shtetasi Valtor Cala, transportonte 3(tre) mina me telekomandë ku në hyrje të qytetit të Lezhës, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke kapur në flagrancë të dy shtetasit e lartpërmendur.
Gjithashtu gjatë kontrollit shtetasit Artur Popa ju gjet dhe një sasi prej 55 gramë lëndë narkotike e llojit cannabis sativa e ngjashme me atë të vajit të hashashit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga grupi hetimor u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
• 3 mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë.
• 55 gramë lëndë narkotike e ngjashme me atë të vajit të hashashit.
• 14 telefona celularë.
• dy automjete
• 3 fitila si ato zjarrpërcjellës.
• një çantë ku ishin futur minat
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mbajtja e bombave dhe minave me telekomandë në mjedise publike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
ma.me