GJIROKASTER-Pas protestave të banorëve në fundjavë, sot ka filluar zbatimi i rekomandimeve të lëna nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, për stabilizimin e zonës ku ndodhi rrëshqitja në lagjen “Kodër e Shtufit”. E ndërsa pak ditë më parë u ndërhy për disilpinimin e ujërave sipërfaqësorë, specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Gjirokastrës, po vijojnë punën për ta kthyer situatën në normalitet të plotë.
Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami, shprehet se “Sondimet gjeologjike dhe analizat laboratorike u kryen në disa pika për të pasur garanci dhe siguri në ndërhyrjet që janë parashikuar. Rehabilitimi i zonës dhe normalizimi i situatës janë prioriteti i punës sonë dhe kjo falë angazhimit maksimal të Bashkisë së Gjirokastrës çka do të ofrohet zgjidhje për shqetësimet e banorëve dhe siguri për jetët e tyre”
Banorët e pallatit 12-katësh prej disa javësh vijojnë që të përballen me probleme, pasi si pasojë e rrëshqitjes së dherave nga përmbytjet rrezikohet godina. Fillimisht ata u evakuuan, por më pas u rikthyen sërish duke e hequr vetë dheun dhe gurët me lopata, ndërsa sot ka nisur puna nga pushteti vendor.