Për të përfituar pension pleqërie grave do t’ju përllogariten si vite kontributesh edhe ato të Universitetit. Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendim më 14 shkurt. Kjo do të ndodhë nga viti 2000 deri në vitin 2032.
Studimet universitare dhe pasuniversitare grave do t’u njihen si periudhë kontributive dhe do t’u përllogariten si periudhë pensioni.
Kjo do të ndodhë deri në 2032, kohë kur periudha e daljes në pension për gratë barazohet me burrat.
E drejta ligjore e fituar në vitin 2000 ka marrë mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi të lërë në fuqi nenin 91 te ligjit 7703 në të cilin thuhet:
“Periudha e kryerjes së studimeve në shkollën e lartë me shkëputje nga puna për gruan duke filluar nga 1.9.2000 deri 31.12.2032, pavarësisht nga vendi ku janë kryer studimet dhe jo për më shumë se gjashtë vjet, njihet periudhë sigurimi për efekt pensioni pleqërie”.
Me vendimin e marrë më 14 shkurt Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e Gjykatës Administrative të Apelit Vlorë, e cila në një padi të depozituar e cilësonte këtë ligj si diskriminues për burrat.
Në vlerësimin e trupës së Kushtetueses thuhet se kjo gjykatë kishte mundësi ta zgjidhte çështjen në mënyrë të pavarur, ndërkohë që dy anëtarë të saj Kryetari Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha argumentuan se nisma e marrë në atë kohë u përligj me faktin se krijonte barazi mes burrave dhe grave sa i takon të drejtës për pension.
Pasi në vitin 2000 kur nisi zbatimin kjo skemë mosha e daljes në pension për gratë ishte 55 vjeçe, ndërsa periudha e sigurimit ishte 28 vite. Po të fillonte punë pas përfundimit të shkollës së lartë gruaja nuk plotësonte periudhën e sigurimit.
Ndërsa burrat dilnin në pension 60 vjeç dhe për të përfituar pension duhet të plotësonin 31 vite sigurime. Nëse ato fillonin punë në moshën 29 vjeçare pa e ndërprerë deri në mbushjen e moshës për pensionit i plotësonin vitet.
Këto kritere penalizonin gratë arsyetojnë anëtarët e kushtetueses e për këtë arsye u vendos përllogaritja e viteve të shkollës, pasi vetëm në këtë mënyrë do të shmangej një trajtim i diferencuar. /AbcNews