Disa persona janë shoqëuar nga Policia e Lezhës në lidhje me grabitjen e një dite më parë në një banesë, ku autorët dhunuan edhe kryefamiljarin.
Të shoqëruarit janë persona me precedent të mëparshëm penal. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar maskat e grabitësve, të cilat u gjetën 50 metra larg vendit të ngjarjes. Burime për BalkanWeb bëjnë me dije se grabitësit kanë mbytur qenin e ndodhur pas shtëpisë dhe kanë shfrytëzuar pjesën që nuk ishte në vëzhgimin e kamerave. Sipas dëshmisë së bashkëshortes, për rreth 45 minuta kanë përjetuar tmerr të vërtetë.
“Kemi luftuar me vdekjen, nën kërcënimin e armës. Fëmijët nuk kanë fjetur gjithë natën nga trishtimi,” është shprehur ajo.
“Me datë 21.02.2018 , rreth orës 19:15, në qytetit Lezhë në afersi të bordit të kullimit në banesën e shtetasit A.I.,kanë hyrë tre persona të maskuar ku njëri prej tyre i armatosur, dhe pasi kanë goditur me sende të forta të zotin e banesës kanë marrë një shumë parash dhe disa bizhuteri dhe duke përfituar nga errësira kanë mundur të largohen,” njoftoi policia dje./a.m.