Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet nga foltorja e Kuvendit audio përgjimit të publikuar nga paraardhësi i tij Sali Berisha, duke e cilësuar atë si një përgjim pas ferre.
Rama tha se në takimin e publikuar dhe që sipas tij është shkëputur krejtësisht nga konteksti, drejtorët e pranishëm kanë qenë si pjesë e strukturave të PS dhe jo si drejtorë të administratës.
“Meqë u hap tema e të shikuarit pas ferre që sapo e përmenda pak më parë, po sqaroj se ne nuk bëjmë mbledhje me administratën për fushatë, këtu fillon ndryshimi i parë mes nesh dhe jush, nuk i mbledhin drejtorët e administratës që tu themi tani ju shteti jeni partia, ne partia jemi shteti, kështu që ju duhet të mbushni kutitë tona, dhe sigurisht në mbledhjet tona janë të pranishëm edhe drejtorët në administratë që janë pjesë e strukturave të PS e që nuk vijnë pse janë drejtorë por se janë pjesë e strukturave të PS” tha Rama.
Për kryeministrin Rama koha kur mbylleshin shkollat, kur drejtorët pavarësisht përkatësisë merrnin gjithë shkollën dhe e sillnin në fushatë ka vdekur.
“Po ju siguroj që në bazë të udhëzimit që kam dhënë nëse ju do të denoncojë një shkollë të vetme që mbyllet për të nxjerrë nxënësit për takime elektorale do të merret masë urgjente” u shpreh kryeministri
Por ish-Kryeministri Berisha ka akuzuar edhe një herë Ramën se ka angazhuar drejtorë të administratës për fushatën elektorale. Ai ka thënë se publikimi i videos së djeshme në faqen e tij në Facebook nuk është shkelie e privatësisë, por një e vërtetë që u bë publike për të gjithë shqiptarët.
“Zotëria e din se nuk kam përdorur asnjëherë regjistrime privat të asnjë njeriu. Privatësia është privatësi dhe unë nuk ja prek asnjë njeriu. Për privatësi unë ja hoqa fytyrën. Por këtu kemi të bëjmë me një proçes të rëndësishëm për vendin. Që mazhoranca e ka filluar me raste kriminale në Durrës e më pas dje në Kolonjë. Mund të thuash se e ka bërë Edi Rama, por nuk mund të heshtësh kur Rama thotë se banditi goditi xhaxhain e tij. Ndërsa banditi thotë se nuk ka asnjë lidhje me atë që gonditi. Kryeministri duhet të dalë këtu dhe të dënojë goditjen në Durrës, në Kolonjë dhe në Kukës. Ku 20 policë goditën qytetarin dhe policia vetëm përsëriti atë që tha hekurani i saj. Unë nuk manipuloj kurre por i hoqa fytyrën. Bravo i qoftë atij që e ka regjistruar. Ky thotë se detyrë konkrete do të jetë për secilin, që me letër në dorë, tu thuhet se këto janë votat që ju duhet të siguroni, ndaj ose vidhni ose ikni”, tha Berisha.
Redaksia Online
(JavaNews.al)