Ministria e Jashtme ka dalë me një deklaratë zyrtare ku bën me dije se çështjeve të ngritura të martën nga Presidenti i Republikës do t’u përgjigjet në rrugë institucionale.
Jozyrtarisht burimet i thanë Top Channel se diplomacia shqiptare i ka gati emrat, që do t’i jepen presidentit Meta, e shumta të enjten.
Ajo që Top Channel ka mësuar në Athinë dhe Tiranë është se pala greke do të paraqitet në negociatat teknike me vetëm 4 negociatorë, sepse numri i institucioneve të përfshira nga pala greke është vetëm 3.
Kurse në rastin e Shqipërisë, numri i negociatorëve do të varet nga institucionet e përfshira.
Deri tani janë 10 institucione, si Ministria e Jashtme, ajo e Mbrojtjes, Instituti i Gjeografisë e të tjerë.
Por, presidenti i Republikës ka kërkuar përfshirjen edhe të tre institucioneve të tjera dhe Ministria e Jashtme ka ndërmend ta pranojë edhe këtë kërkesë, ndaj numri i negociatorëve shqiptarë do të jetë të paktën 13, përkundër vetëm 4 për palën greke.
Në të gjithë këtë histori, qeveria shqiptare ka aplikuar një profil të ulët, duke privilegjuar komunikimin në rrugë institucionale dhe jo publik, pavarësisht kostove që kjo i ka shkaktuar në sytë e opinionit publik për mungesë transparence.
Duke aplikuar këtë profil të ulët, qeveria shqiptare mesa duket nuk do që në media të filtrojnë detaje, që pala greke mund t’i përdorte në avantazhin e saj.
Por, dalja në konferencë për shtyp e kreut të shtetit po e detyron Ministrinë e Jashtme, që t’i përgjigjet presidentit Meta me qetësi dhe ndoshta edhe me dashuri, sepse qeveria shqiptare është nën presionin e kohës.