Implementimi i ligjit për arsimin e lartë e vuri përballë komisionit parlamentar të Medias dhe Informimit Publik, për më shumë se 4 orë ministren e arsimit Lindita Nikolla. E pyetur vazhdimisht nga kryetarja e komisionit, Albana Vokshi se a ka shkelur ministrja ligjin duke mos nxjerrë 11 aktet nënligjore në zbatim të ligjit për arsimin e lartë në kohë, Lindita Nikolla dha një përgjigje befasuese.
“Jo nuk e kam shkelur ligjin. Nëse ju gjykoni që është shkelur ligji drejtohuni organeve të drejtësisë dhe unë përgjigjen, më çoni në kokërr të burgut. Edhe mbylleni këtë histori”, tha Nikolla.
Megjithatë, ministrja gjatë debatit ka pohuar se nëse është e nevojshme ligji mund të ndryshohet.
“Ligji nuk është i shkruar në gur, por ajo që është përgjigja e kësaj mazhorance është edhe përgjigja e të gjithë stafeve të universiteteve, që nuk thonë këtë që ju thatë, që sistemi është në kolaps”, shtoi ministrja.
Nga ana tjetër, deputetja demokrate Vokshi insistoi që ministrja Nikolla duhet të dorëhiqet.
“Juve vetë vendosët që afati të jetë 9 mujor, që e kishit vetë në dorë ta vinit 1 vit, 2 vjet etj.. ti jepnit kohë vetes. Përderisa ju nuk po i arrini dot ritmet që ja vutë vetes jepni dorëheqjen. Hapini rrugën dikujt që është më i aftë”, tha Vokshi
Gjatë fjalës së ministres Nikolla, ndërhyrjet e shpeshta të kryetares Vokshi kanë çuar në acarimin e deputetëve të mazhorancës. Interpelanca me ministren Nikolla ka përfunduar me pakënaqësinë e anëtarëve të opozitës në komision, të cilët u shprehën se ministrja e Arsimit nuk u është përgjigjur asnjë pyetjeje dhe se ato do ja dërgojnë me shkresë pa shpresën se do të marrin ndonjë përgjigje.