Nga Ben Andoni
Shqiptarët duket sikur nuk i duan investimet e huaja. Kjo nuk do shumë për t’u kuptuar dhe as për t’u vënë re. Është e vërtetë që shteti që ne kemi bërë dhe Ekzekutivët që na drejtojnë kanë gabimet pa fund, që lidhen me titujt e pazgjidhur të pronësisë dhe Legjislacionin “fleksibël” që ndërron orë e çast, por në thelb, ne, shqiptarët (e përsërisim) nuk i duan investimet e huaja. Këtë e shpjegon klima e pafavorshme e biznesit që krijohet nga vetë ne dhe nuk është aspak e favorshme; pronat që i kemi manipuluar në masë; por edhe mungesa e nervit të punës, që vërehet masivisht ndër shqiptarë. Kërkesa e drejtë e kryeministrave Rama e Berisha dhe e shumë oratorëve para tyre në vitet e fundit për shkollat profesionale bie në vesh të shurdhër, pasi mungojnë realisht vendet ku mund të punojnë dhe përshtatja e këtyre zanateve me drejtimet ekonomike të vendit. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka ende asnjë model ekonomik, paçka se ka ndërruar gati 10 qeveri në 25 vitet e fundit!!!
Ndërkohë që orientimi i gabuar i tregut shqiptar dhe çoroditja politike e 27 viteve të fundit ka bërë që Shqipëria të ketë superprodhim juristësh, që sot nuk e gjejnë dot veten në asgjë, ashtu si sociologë e ekonomistë pafund.
Me pak fjalë: Investimet e huaja kanë dështuar në masë të madhe prej mundësive të pakta që u ofron vendi ynë. Dështimi vazhdon edhe prej kësaj klase të madhe intelektualësh inkubatori që nuk e bëjnë dot të funksionojë si duhet Shqipëria, që shpesh e provojnë se vendi ynë nuk e ka infrastrukturën e duhur administrative të dijë t’i thithë si duhet këto investime. Dhe, këtyre u shtohet përtacia e njerëzve që i është bashkuar kaotizimit të shtetit tonë gjithnjë e më shumë konfuz.
Jo thjesht vitet e stërgjata të Socializmit dhe mungesa pak nga pak e edukatës së punës, por vitet e zdërhalljes nën Fajde dhe sidomos mungesa e punës, në vitet e fundit, i ka bërë shqiptarët ta neveritin realisht punën. Kjo e bën një pjesë të madhe të njerëzve të moshave të reja, që janë të etur për punë, të pranojnë më mirë të shtegtojnë ndër vende të huaja dhe nën autoritetin e punëdhënësve të huaj, sesa në Shqipëri.
Kapitalizmi i ri shqiptar nuk është thjesht i egër por pa asnjë rregull loje. Kasta e re e pronarëve të pasuruar rrufeshëm në Shqipëri krijon një klimë që është gjithnjë e më shumë negative ndaj çdo investimi të huaj. Falë lidhjes së saj edhe me strukturat e gjyqësorit, por edhe vetë ineficensën e administratës, të gjitha e kanë bërë biznesin e huaj të jetë i kujdesshëm me atë që e pret në vendin tonë. Kur u rrah deri në gjendje të rëndë biznesmeni arab, kujdesi i Ekzekutivit tonë ishte për të thënë se nuk kishte vdekur, por aspak për të gjetur fajtorët! Po pak vite më parë, nuk harrohet ankesa deri në klithmë aspak diplomatike e ambasadorit gjerman për të gjetur drejtësinë e munguar për ankesat e bizneseve gjermane por asgjë! Këto janë pak nga shembujt negativë…
Klima e duhur për të thithur investimet nuk bëhet vetëm me fjalë, por me angazhim kombëtar për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave, arritjen e mirëbesimit në publik dhe dashamirësinë për t’i mirëpritur, e mbi të gjitha përgatitjen e njerëzve të administratës në mënyrën e duhur për një ekonomi me të cilën do të konkurrojë Shqipëria. Anipse këto mungojnë, ashtu si mungon modeli i vërtetë ekonomik i vendit tonë, sepse jemi ne vetë që nuk i duam investimet e huaja në vend. (Javanews)