Kështu ishte mbrëmja e së shtunës në qytetin e Korçës. Sheshi i “Pazarit të Vjetër” gëloi nga grupet e të rinjve dhe familjarëve që kishin ardhur të shijonin Korçën në më të mirën e vet. Me rinovimin e kohëve të fundit që i është bërë pazarit të Korçës, pamja e tij të bën të besosh se po shëtit në një qytet europian. Por, aktivitetet festive janë elementi për t’i dhënë gjallërinë e duhur.
Këtë e bëri Electronic Beats, platformë rinore e Deutsche Telekom që kërkon të përhapë muzikë cilësore dhe kulturën alternative. Së bashku me Bashkinë e Korçës, Telekom Albania dhe sipërmarrësit e lokaleve të pazarit u bënë bashkë për të krijuar një panair muzikor që kuriozoi edhe shumë qytetarë të qyteteve të tjera. Të shtunën e 17 shkurtit, pjesa më e vështirë ishte të gjeje vend për të kërcyer në festat që po zhvilloheshin. Tetë artistë të ftuar që të performonin në tetë lokalet rreth sheshit, krijuan një ansambël muzikor të zhanreve të ndryshme. Muzika funky, rock, pop, jazz, elektronike, techno si edhe serenatat luheshin nga Altin Goci, Alban Nimani, AdDisha, Bedi Pejani, Roots Raid, Erblin Bajko dhe Kristine Velvet me Vaan Nam. Kishte një festë për këdo.
Mbyllja e aktivitetit u bë tek dyqani i Rakos, një vend që jo më kot të gjithë vendasit e kanë shumë përzemër. Kjo ngjarje ishte e gëzueshme jo vetëm për ata që kishin ardhur për të festuar por edhe për artistët. Në intervistë, Altin Goci u shpreh se “Korça është një vend që të pret me shumë ngrohtësi dhe kur këtë atmosferë vij për ta krijuar unë, kjo më ngjall shumë emocion”. Gjithashtu, Arbër Çepani, si sipërmarrës i njërit prej lokaleve, tha se “aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e qyteteve dhe për shkëmbim kulturor.”
Dëshira e mirë e Bashkisë së Korçës dhe e Telekom Albania për të krijuar një aktivitet të tillë është një shembull se si bashkëpunimet produktive sjellin ndryshime që në të ardhmen mund të shërbejnë si modele për t’u ndjekur.
Të kalosh fundjavën në një qytet të bukur është kënaqësi, por kur bukuria e qytetit ndërthuret edhe me evente bashkëkohore, këto fundjava bëhen të paharrueshme.