“Një qytet që po ndryshon dhe po zhvillohet”, e vlerësoi Tiranën kryetari i Bashkisë së Veronës, Federico Sboarina, i cili zhvilloi sot një takim të veçantë me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku diskutuan mundësinë e shtimit të bashkëpunimit mes dy qyteteve për projekte në çështjet e transportit publik dhe ndriçimit.
“E falenderoj Erionin që më ka mirëpritur në një mënyrë kaq speciale sepse edhe mikpritja është vlerë. Kam parë shumë gjëra, por mbi të gjitha ajo që më mbeti në mendje nga Tirana është një qytet në zhvillim. Një qytet që po rritet, po zhvillohet në mënyrë të rëndësishme. Nuk e njihja më parë, por ama kam parë foto shumë të bukura si ishte dhe si është tani, një qytet tërësisht i ndryshëm. Duam të jemi në sinergji me një kryeqytet si Tirana sepse të punuarit së bashku, do të thotë të rritemi bashkë; rritje për ju, rritje për ne. Kështu që, pajtohem me faktin se më e mira ende nuk ka ardhur”, tha kryebashkiaku i Veronës, Sboarina.
Në shenjë miqësie dhe bashkëpunimit mes dy qyteteve, Veliaj i dorëzoi homologut të tij italian “Çelësin e Qytetit”. Më pas, ata zhvilluan një vizitë edhe në Sheshin “Skënderbej”, i cili pas rikonceptimit, është kthyer në një hapësirë publike kushtuar qytetarëve. Veliaj dhe Sboarina mbollën në mënyrë simbolike edhe disa pemë.
“Pata nderin t’i dhuroj “Çelësin e Qytetit” të Tiranës Federicos, duke e siguruar se në Tiranë ka gjithmonë një derë të hapur, njerëz që e mirëpresin, siç e kanë mirëpritur këto 24 orët e fundit. Ne dhe Verona bëjmë shumë punë bashkë. Mundohemi të mësojmë nga më të mirët, sepse ata janë më të mirët me pastrimin. Kjo është arsyeja pse Tirana është sot më e pastër, falë bashkëpunimit që kemi me Veronën. Duam shumë që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe për çështje që kanë të bëjnë me kulturën, transportin publik dhe ndriçimin e qytetit”, tha Veliaj.
Ai vlerësoi marrëdhëniet mes dy bashkive për hartimin dhe zbatimin e një sërë projektesh të rëndësishme, ku Bashkia e Veronës ka një eksperiencë të rëndësishme.
“Në kohët moderne, kur ke një mik të mirë, ke një thesar. Për ne thesar është bashkëpunimi me Veronën, nga e cila po mësojmë se si mos ta shpikim edhe një herë rrotën, por të bëjmë gjërat që po funksionojnë më mirë në një qytet model perëndimor, për t’i zbatuar në Tiranë”, tha ai, teksa shtoi se së shpejti do të fillojnë disa projekte për transportin publik.
“Mezi pres që të fillojmë me disa projekte për transportin publik. E kam thënë edhe më parë: nëse kompanitë e transportit nuk na përgjigjen për të modernizuar flotën me autobusë të gjelbër, atëherë sigurisht do të jemi gati. Ndaj sot diskutuam se si do të fillojmë me disa projekte konkrete, duke besuar gjithmonë se më e mira është përpara”, deklaroi Veliaj. /ma.me