Në fakt udhëtimi për në Gjermani duhet t’i shërbente shtensionimit të gjendjes. Kur kryeministri polak Mateusz Morawiecki ishte mysafir i Angela Merkelit në Berlin, ai u përpoq të prezantohej si person pragmatik i orientuar te ekonomia. Ai bëri thirrje për një marrëveshje të re, “New Deal”. Temave delikate u bëri bisht ose e minimizoi rëndësinë e tyre. Pyetjeve të bezdisshme ai iu përgjigj me fjalinë “mos ta bëjmë mizën elefant”.Temën me siguri më të vështirë në raportet bilaterale, reparacionet gjermane për Luftën e Dytë Botërore ai as e përmendi.
A e nënvleftësoi Morawiecki publikun?
Me sa duket kështu do të vazhdonte e gjitha edhe në Mynih. Por punët erdhën ndryshe. Në Konferencën e Sigurisë me përfaqësues të nivelit të lartë kryeministri polak foli para një publiku të rëndësishëm ndërkombëtar.
Në thelb, Morawiecki donte të tregonte atje një fytyrë tjetër të qeverisë së tij: moderne, evropiane. Jo një fytyrë të një qeverie të fiksuar përjetësisht te trauma e luftës. Por kur një gazetar e pyeti për të ashtuquajturin “ligj të Holokaustit në Poloni”, ai i lejoi vetes një fjali, e cila shkaktoi një skandal diplomatik. Në vend që të qetësonte, siç e pati planifikuar, ai hapi me të në udhëtimin e tij në Gjermani një kapitull të ri të krizës midis Polonisë dhe Izraelit.
Ai që e pyeti kryeministrin polak është një gazetar izraelit: a do të bënte ai një shkelje për t’u ndëshkuar, po të tregojë historinë e familjes së tij, të cilën fqinjët polakë e kallëzuan te Gestapo-ja. Familja arriti të mbetet gjallë, vetëm sepse u arratis menjëherë, kur e mori vesh këtë. “A bëj një shkelje të ndëshkueshme, po ta tregoj këtë histori? Cili është synimi juaj me një ligj të tillë?”, pyet i pritur me duartrokitje Ronen Bergman, i cili është një autor që shkruan për New York Times.
Duartrokitje dhe indinjatë
“Ligji për Holokaustin” i miratuar së fundi, ndalon që t’i jepet popullit polak dhe shtetit polak çdo bashkëpërgjegjësi për aktet mizore të nazistëve. Morawiecki i përgjigjet pyetësit: “Jo, nuk duhet të kesh frikë se do të të dënojnë, po të pohosh se ka pasur doras polakë”. Por kryeministri nuk vendos pikë pas këtyre fjalëve, ai vazhdon me fjalët: “…siç ka pasur doras hebrenj, siç ka pasur doras rusë, siç ka pasur doras ukrainas dhe siç nuk ka pasur vetëm doras gjermanë”.
Formulimi “doras hebrenj” shkakton indinjatë. Reagimi nuk vonoi. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili ishte gjithashtu mysafir në Mynih, i quan “revoltuese” shprehjet e Morawieckit. Netanjahu shkruan në twitter: “Këtu kemi një problem me paaftësinë për të kuptuar historinë si dhe me mungesë ndjeshmërie për tragjedinë e popullit tonë”. Netanjahu sheh “nevojë të menjëhershme për të biseduar” me Morawieckin. Në Mynih kjo nuk do të funksionojë. Kryeministri polak është kthyer në mbrëmje në Varshavë.
Në Izrael ndërkohë vlojnë kritikat nga të gjitha kampet politike.Ngadalë edhe në Poloni po shtohen zërat më kritikë – edhe nga kampi nacional-konservator. Atje me sa duket ligjin e kanë nënvleftësuar përsa i përket potencialit të tij për konflikt. Tani pasi u miratua, gjithnjë e më shumë kritikë kërkojnë që ligji të ndryshohet. Një këshilltare e Presidentit të Polonisë, Andrzej Duda e quajti ligjin “idiotik” dhe rekomandoi gjithashtu që ai të ndryshohet.
Megjithë presionin ndërkombëtar, Presidenti polak Duda vendosi në fillim të shkurtit që ta nënshkruajë ligjin. Për të marrë parasysh kritikët, që kanë frikë se ligji “mund t’u mbyllë gojën të mbijetuarve” ai ka rekomanduar megjithatë që ligji të verifikohet nga Gjykata Kushtetuese./dw/ma.me