Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, i cili ishte shpallur në kërkim më 16 Shkurt pasi plagosi me sende të forta një qytetar me iniciale A.D. gjatë një konflikti mes tyre.
Gazmend Osmani u konstatua dje nga forcat e Komisariatit Nr.6, nën drejtimin e një automjeti në Kashar. Punonjësit e Policisë i bënë shenjë të ndalonte, por drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhërit të punonjësve të policisë për të ndaluar duke u larguar me shpejtësi.
Shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje të këtij mjetit, ku në afërsi të mbikalimit të Fushë-Krujës kanë bërë të mundur bllokimin e mjetit si dhe kapjen e Gazmend Osmanit, i cili drejtonte mjetin.
Ndërsa shtetasi T.Ll., 24 vjeç, banues në Kashar, që udhëtonte si pasagjer me të, njëkohësisht edhe bashkëpunëtor i ngjarjes së ndodhur më 16 Shkurt, ka mundur të largohet dhe është shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan dy maska dhe një karikator arme zjarri pistoletë me pesë fishekë.