Pasi vizitoi Shkodrën, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj udhëtoi drejt Lezhës, ku u zhvillua analiza vjetore e Policisë së këtij qarku. Në një komunikatë për mediat, Xhafaj deklaroi se këtë qark do të goditen të gjitha grupet kriminale. Mes të tjerash ai u ndal edhe tek abuzimi me pronat publike përgjatë vijës bregdetare në Lezhë.
“Do të goditen të gjitha grupet kriminale. Do godasim asetet e grupeve kriminale. Unë nuk paralajmëroj arrestime. Jam ministri i Punëve të Brendshëm që drejtoj për sa mua më takon, orientoj dhe drejtoj policinë. I takon strukturave të policisë, prokurorisë që të marrin masa të duhura intensive, që janë duke vepruar me grupet kriminale. Jam i shqetësuar për disa abuzime që janë bërë me tokat këtu, me vijën bregdetare në zonë e Lezhës. Hetimet që janë duke u zhvillur, janë në proces, do të jenë të suksesshme. Besoj fort që shkaktarët e kësaj batërdie do të vendosen para ligjit. Krimet të marra për frymë për banorë ne Lezhë, nuk e rendisin këtë qytet si qark pozitiv. Duhet ta bëjmë dallimin qartë. Pritshmëria është më e lartë”, tha Xhafaj.
Teksa u ndal tek vrasjet pa autorë, siç është edhe ekzekutimi i Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit të PS-së Arben Ndoka, Xhafaj tha se prokuroria po heton.
“Dhe kjo bën pjesë në atë që sapo shpreha. Janë dy ngjarje të tilla që po hetohen dhe me prokurorinë për rezultate konkrete, për identifikimin e autorëve përgjegjes. Ngelen njerëzit e prokurorisë që të thonë fjalën e tyre”, pohoi Xhafaj.