Në raportin prej 93 faqesh te Organit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinimit të organizatës europiane të futbollit UEFA, mes te tjerash permendet edhe emri i ish-ministrit te Financave, ne qeverine “Berisha”.
Raporti, i cili u publikua në internet të premten, ngre akuza të rënda jo thjeshtë ndaj skuadrës së Skënderbeut, por edhe për ish-ministrin e Financave Ridvan Bode, i cili akuzohet se ka kërcënuar një trajner duke i kërkuar të humbasë ndeshjen, për presidentin aktual, biznesmenin Ardjan Takaj, ish presidentin Agim Zeqo, gjithashtu biznesmen, si dhe për një numër të madh lojtarësh, trajnerësh e personazhe të tjera të sportit dhe biznesit në Shqipëri.
Pyetur nga BIRN, Ridvan Bode, i cili ka drejtuar Ministrinë e Financave në vitin 1996 si dhe në vitet 2005-2013, i hodhi poshtë akuzat si thashetheme.
“Janë të njëjtat thashetheme të dy viteve më parë. Një qëndrim publik e kam mbajtur atëherë”, tha Bode duke iu referuar një deklarate të vitit 2016, ku ka hedhur poshtë në tërësi akuzat.
Çfarë thuhej në raport për Boden
“Ridvan Bode raportohet se ka gjithashtu marrëdhënie të ngushta me klube të tjera në Shqipëri. Ai është mik i mirë dhe donator kryesor i KS Shkumbinit, Dashnor Sula. Që të dy janë anëtarë të Partisë Demokratike”, thuhet në raport.
“Nuk vjen për surprizë që BFDS ka përshkallëzuar shumë ndeshje të Skënderbeut me një shkallë të lartë gjasash për manipulim ku përfshihen klube që kanë qenë ose nën presion nga z. Bode (Dinamo e Tiranës) ose të kontrolluar nga miqtë dhe kolegët e tij (KS Shkumbini). Kjo, bashkë me perceptimin tashmë famëkeq publik si fiksues ndeshjesh provon se ai është pjesë integrale e skemës së Skënderbeut,” vijon më tej raporti.
Ish-ministri demokrat i Financave i ka mohuar akuzat në mënyrë të prerë në një deklaratë të vitit 2016.
“Nuk kam qenë asnjëherë financues, donator apo anëtar bordi në asnjë organizim shoqëror, kulturor apo sportiv në Shqipëri apo jashtë saj,” deklaroi ai në atë kohë.
Bode akuzohet gjithashtu se ka kërcënuar ish-trajnerin Dinamos Luis Manuel Blanco gjatë një ndeshjeje mes Skënderbeut dhe Dinamos më 2011. Blanco ka dëshmuar para inspektorëve duke thënë se Bode i është drejtuar atij me këto fjalë:
“Nëse ti na prish pushimet, unë do të të shkatërroj. Ai më kërkoi kur u ktheva për pjesën e dytë, skuadra jonë duhej të humbte. Unë nuk i besoja syve. Ishte e tmerrshme.”
Bode e ka mohuar edhe këtë akuzë më 2016. “Kurrë nuk jam takuar apo biseduar për ndeshje apo rezultate me presidentë, trajnerë apo lojtarë të asnjë ekipi futbolli,” tha ai./BIRN