Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ishte i pranishëm sot në Shkodër në prezantimin e drejtorit të ri të policisë vendore të qarkut dhe analizën vjetore. Në përfundim të takimit, Veliu u shpreh për mediat se vendosëm prioritetet për vitin 2018, që janë lufta kundër krimit dhe drogës.
“Vendosëm prioritetet që do të ketë drejtoria e Shkodrës për këtë vit, janë objektiva që i ka policia e shtetit. Fokusi është të goditja e grupeve kriminale, prioriteti i dytë do të jetë goditja e personave që janë evidentuar si persona që kanë ushtruar aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike dhe minimizimin e sipërfaqes së kultivimit të bimëve narkotike. Në Shkodër kemi persona që ushtrojnë aktivitet kriminal, policia është duke i goditur. Nga drejtori vendore janë goditur dy grupe, ndërkohë që është duke u punuar për goditjen e të tjerave. Për të goditur një grup kërkohet kohë, maturim dhe gjetja e provave”.
Përsa i përket Vettingut në polici, ai deklaroi se do të largohen të gjithë ata që kanë treguar shkallë të ulët profesionalizimi dhe që janë të implikuar. “Qëllimi është që struktura policore të jetë me integritet. Vettingu është ndërtuar mbi profesionalizimin, integritetin dhe mbi pjesën e pasurive dhe atë që përfaqësojnë.
Patjetër që në Vetting do të kalojnë të gjithë, duke filluar nga unë dhe qëllimi është që punonjësit që kanë qenë të implikuar dhe kanë treguar shkallë të ulët profesionalizimi të largohen. Toleranca do të jetë zero” tha ai. Vehbi Bushati është emëruar drejtori i ri i Policisë së Shkodrës. Bushati zëvendëson në këtë detyrë Gjovalin Lokën, i cili dy ditë më parë u emërua Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit.