Ndonëse ka provuar burgun, tradhtinë e miqve, braktisjen, arkitekti, piktori e shkrimtari Maks Velo nuk e kishte besuar se deri ku mund të arrinte keqdashja e njerëzve.
Dy ditë më parë, Velo ka marrë në dorë dosjen e përndjekjes nga ish-Sigurimi i Shtetit, shkruan “Panorama”.
Ndjesitë që ka provuar kur ka marrë në duar këto materiale dhe ato çka ka zbuluar në to, Velo i ka rrëfyer dje gjatë një takimi me nxënës gjimnazesh në COD, të mbledhur për të diskutuar rreth librit të tij më të fundit, një përmbledhje me tregime, titulluar “Përkthyesi” dhe botuar nga “Mapo Editions”.
Një përmbledhje, që, sipas gazetarit dhe përkthyesit Ben Andoni, ka një rëndësi të veçantë për letërsinë e kujtesës, sepse Maks Velo, falë formimit të tij kulturor, arrin të ruajë sensin e masës.
DOSJA
“Këto ditë kam qenë shumë i tronditur, sepse mora dje nga Autoriteti i Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, dosjen time. Kisha 6 muaj që e kërkoja dhe mora dje rreth 250 faqe. Jam tronditur. Nuk fle natën. Nuk e dija që paskemi qenë kaq të poshtër. Shoku im i ngushtë Llabi Blido ka bërë 27 denoncime për mua. Madje ka ardhur edhe për të regjistruar në shtëpi. Poshtërsia më e madhe ishte që atë e kanë përdorur edhe pasi më kishin futur në burg. Shkonte në shtëpi për të mësuar se çfarë thoshin prindërit e mi. Dhe ishte piktor, punonte në ministri dhe ka shkruar për modernizmin. Kam zgjedhur dy faqe, për të kuptuar se si jetohej në burg”, tha Velo.
Në njërën prej fletëve të dosjes rrëfehej për një grindje në qeli, ndërsa në tjetrën për qëndrimin që ai ka mbajtur kundrejt Sigurimit të Shtetit dhe përpjekjeve për ta rekrutuar. “Unë e kam thënë shpesh që nuk u bëra spiun, por nuk kisha dokument. Dhe ja më së fundi dokumenti”, tha Velo, duke lexuar një raport, mbajtur për një rast konkret kur ishin përpjekur ta bënin bashkëpunëtor të Sigurimit.
PYETJET
Pasi lexoi këto faqe, shkrimtarit iu bënë pyetje nga të pranishmit për tregimet e përmbledhjes, por edhe momente të caktuara në jetën e tij, siç mund të ishte përballja me ata që ai i quan spiunët e tij.
“Përgjithësisht, qëndrimi i tyre është i njëjtë. Shumica nuk më flasin, mbajnë qëndrim. Ca të tjerë bërtasin, bëjnë skena në publik që unë të largohem. Lidhja jonë e Artistëve ishte lidhja e kriminelëve, atje rekrutoheshin agjentët. Nuk e kuptoj se si mund të ishin spiunë artistët, kolegët e mi, unë i doja, i respektoja. Dhe askush nuk ka kërkuar falje prej tyre”, tha Velo. I pyetur nëse ekziston mundësia që ai t’i falë ata, Velo u përgjigj: “Jo, nëse nuk më kanë kërkuar falje! Në mungesën e një kërkese, ti nuk ke se si kërkon përgjigje”.
Një prej nxënëseve ishte kurioze të dinte nëse shkrimtari, po të kishte pushtet në dorë, do t’i dënonte spiunët e tij dhe Velo u përgjigj se “unë nuk dënoj njeri. Kjo që po ndodh sot, është dënim për të. Unë do ta botoj këtë dosje dhe fëmijët e tyre do të njohin se çfarë prindërish kanë. Sot është vonë, shumë vonë.
Këto gjëra nuk bëhen me procese gjyqësore, por procese publike. Ai sot dënohet më shumë se unë që bëra 7 vjet burg. Ai është i dënuar për tërë jetën. Ai nuk e anulon dot atë që ka bërë”. Shkrimtari shfrytëzoi rastin që të këshillonte të rinjtë që të mos i bënin keq njeriu, “bëni jetën tuaj, të ndershme deri në fund”.
Tiranë
Relacion për Maksim Sotir Velo
Unë operativ Pëllumb Sinoimeri, bashkë me shefin e seksionit Nuro Sako, në datën 8.01.1986 shkuam në kampin e riedukimit të Gurthit, të rrethit të Mirditës, për të tërhequr në bashkëpunim sekret me bazë vullnetare, të dënuarin për agjitacion dhe propagandë armiqësore Maksim Velo, i cili lirohet nga burgu me amnistinë e datës 13.01.
Fillimisht, me të u bënë biseda të karakterit familjar dhe jetën e tij në burg, kandidati fillimisht reagoi pozitivisht, na falënderoi për trajtimin e mirë që i ishte bërë në burg dhe për punën e tij të bërë atje. Pas kësaj u fol në lidhje me masën e dënimit të tij, për luftën e klasave dhe punën që bëjnë organet tona për zbulimin e veprimtarisë armiqësore de keqbërëse me ndihmën që jep populli, këtyre organeve.
Pasi dëgjoi bisedat që u bënë, Maksi u shpreh se, unë për veten time e quaj dënimin tim të padrejtë. Sepse jam dënuar mbi bazë shpifjesh, por një gjë kam pasur unë, kam qenë i prirë pas artit modernist dhe filloi të na shpjegojë si ishte dënuar.
Pas kësaj, tha: unë e kuptoj se përse keni ardhur ju dhe çfarë doni nga mua. Ju doni që unë të bashkëpunoj me organet e Sigurimit të Shtetit. Këtë propozim ma kanë bërë edhe herë të tjera kur kam qenë i lirë, shokët e Drejtorisë së Tiranës, por unë nuk e kam pranuar, se nuk jam dot në gjendje të bëj punën e spiunit.
Megjithëse nga ana jonë u fol se ky ishte një koncept i gabuar për punën e organeve tona dhe iu fol për punën parandaluese që bëjnë këto organe, Maksimi pas kësaj u shpreh se unë po dëgjova një gjë armiqësore, unë i flas vetë atij personi që ka gabuar me mendimet që shpreh. Ja, kështu kam vepruar edhe në kampin e riedukimit, ku kam dëgjuar shumë biseda dhe asnjëherë nuk kam denoncuar.
Veç këtyre gjërave u shpreh se unë jam i mbaruar dhe kur të dal nga burgu, qëllimi im në jetë është që të sillem mirë, të shoh hallet e shtëpisë e të mos përzihem me njeri, sepse ju kërkoni nga mua të futem në shoqëri me këta persona që janë me prejardhje jo të mirë politike dhe t’ju them ato gjëra, që dëgjoj prej tyre, gjë e cila nuk është në natyrën time dhe s’e bëj dot.
Pas kësaj nga ana jonë iu tha që në të ardhmen të bëjmë këtë bisedë në kuadrin e rritjes së vigjilencës ndaj veprimtarisë armiqësore dhe u porosit që për këto biseda që bëri me ne, të mos i bëjë me njeri.
Pas kësaj u la i lirë. Konkluzion Si konkluzion del se Maks Velo kishte urrejtje për organet tona, përbuzje për punën e këtyre organeve dhe pas lirimit ky person duhet mbajtur nën kontroll se mund të hidhet përsëri në veprimtari armiqësore, gjë të cilën e manifestoi në mospranimin e bashkëpunimit me organet e Sigurimit të Shtetit.
Punëtori Operativ Pëllumb Sinoimeri
Shefi i Seksionit I-rë Nuro Sako
/Panorama