Njoftimi i Bankës së Shqipërisë se ka ndër mend të luftojë euron duket se shkaktoi frikë të pabazuar për “zhvlerësim të euros” apo dëmtim të procesit të integrimit Europian. Por fakti bazë duket se mbetet se përdorimi i lartë i euros nga shqiptarët shkakton humbje ekonomike për shqiptarët ndërsa autoritetet nuk kanë asnjë mekanizëm bindës për ta luftuar fenomenin.
Nga Gjergj Erebara
Disa shoqata biznesi dhe biznesmenë shprehën frikë se lufta kundër euros, e shpallur nga Banka e Shqipërisë javën e kaluar mund të shkaktojë “zhvlerësim të euros” ndërsa disa të tjerë ngritën pikëpyetje nëse një plan i tillë mund të pengojë procesin e integrimit Europian.
Ajo që e shkaktoi keqkuptimin ishte deklarata e papritur e guvernatorit Gent Sejko, i cili tha se Banka e Shqipërisë ka miratuar “paketën e deeuroizimit”. Afro dhjetë muaj më parë, në prill 2017, tre institucione, Banka e Shqipërisë, (BSH), Ministria e Financave (MF) dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) patën nënshkruar një “Memorandum Bashkëpunimi” me titull “Për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”. [Memorandumi mund të lexohet këtu].
Memorandumi i nënshkruar dhjetë muaj më parë nuk shkaktoi ndonjë trazirë. Ai u kalua pothuajse pa u vënë re. Ndryshe nga deklarata e BSH e javës së kaluar, e cila shkaktoi frikë.
Sejko doli sërish në media të Mërkurën më 14 shkurt, kësaj here me shpresë se do të zbuste frikën e shkaktuar nga deklarata e parë.
Fakti është që, nëse lexon “Memorandumin” mes BSH, MF dhe AMF, nuk arrin të kuptosh se çfarë mekanizmash do të vihen në zbatim për të ulur shkallën e euroizimit apo rritur shkallën e përdorimit të lekut. Mekanizmi i vetëm real në përdorim i takon BSH, e cila thotë se do të “rrisë nivelin e rezervës minimale të detyrueshme për euron dhe do të ulë atë të lekut”. Ky është një mekanizëm real, por efikasiteti i këtij mekanizmi në ekonomi duket shumë i dyshimtë për shkaqe që do t’i shpjegojmë më poshtë. Sa i përket dy institucioneve të tjera, MF dhe AMF duket se kanë nënshkruar një memorandum pa pasur kurrfarë mekanizmi politik në dispozicion për të realizuar synimin e pretenduar të memorandumit.
Çfarë është euroizimi?
Euroizimi apo dollarizimi i një ekonomie nënkupton përdorimin në një shkallë të konsiderueshme të një monedhe të huaj për kursime, kredi apo borxh publik, si preferencë përballë monedhës kombëtare. Si çdo gjë nga fusha e ekonomiksit, ky fenomen ka si avantazhe ashtu edhe disavantazhe. Avantazhi kryesor është që lidhja e fatit me një monedhë të fuqishme të sjell më shumë stabilitet dhe njëkohësisht më shumë rreziqe. Disavantazhi kryesor është gërryerja e përfitimeve nga e drejta e emetimit të një monedhe kombëtare, e quajtur senjorazh. Senjorazhi është e drejta e bankës qendrore, në rastin konkret të Bankës së Shqipërisë, për të prodhuar lekë për të cilat nuk paguan interes, që kanë një kosto shtypjeje minimale dhe vlerë nominale në treg. Këto përfitime për vende të ndryshme variojnë në 0.3 deri në 0.5 për qind të PBB-së, në kushtet aktuale të Shqipërisë janë në masën 5 deri në 7 miliardë lekë në vit. Por në rast se shqiptarët përdorin më së shumti euro për kursime e kredi, aftësia e Bankës së Shqipërisë për të prodhuar fitime të tilla pakësohet. Në thelb, vendi humbet disa dhjetëramilionë euro çdo vit për shkak të përdorimit të euros si monedhë kursimi apo krediti.
Çështje mekanizmash
Pesëmbëdhjetë vite më parë, Banka e Shqipërisë zbatonte një politikë joformale në bazë të së cilës, interesi bazë i lekut ishte disa pikë përqindjeje më i lartë se sa interesi bazë i euros, i përcaktuar nga Banka Qendrore Europiane. Kombinuar kjo me mbajtjen e borxhit publik të Shqipërisë në shumicë dërrmuese në lekë, pasojat në treg ishin që interesat e depozitave në lekë të ishin ndjeshëm më të larta se sa interesat e depozitave në euro. Për rrjedhojë, shqiptarët i merrnin paratë e remitancave (shumica dërrmuese e kursimeve të shqiptarëve supozohet se vijnë nga emigrimi për shkak se pagat e rrogëtarëve në Shqipëri lënë pak hapësirë për të kursyer) dhe i konvertonin këto remitanca në lekë për t’i mbajtur në depozita me interes. Nga fillimi i viteve 2000, megjithëse leku ishte një monedhë shumë më e pasigurt në vlerë dhe e rrezikuar gjithmonë nga qeverisja e papërgjegjshme e vendit, shumica dërrmuese e depozitave, deri në 80 për qind, mbaheshin në lekë.
Ndërsa leku shërbente mirë si monedhë për depozita me interes, pikërisht këto interesa më të larta e bënin atë monedhë jotërheqëse për kredi. Rrjedhimisht, kur tregu i kreditit filloi të funksionojë pas privatizimit të Bankës së Kursimeve, shumica dërrmuese e kredisë u mor në euro me interesa më të ulëta. Me kalimin e viteve Banka e Shqipërisë e uli interesin bazë, gjë që solli rënien e interesave të depozitave dhe të kredive në lekë dhe reagimi i shqiptarëve ishte ekzaktësisht në përputhje me këtë realitet. Me ngushtimin e hendekut mes interesave të depozitave në lekë dhe euro, pati më pak leverdi për shqiptarët që të konvertonin kursimet e tyre në euro në monedhën kombëtare. Në raportin e vet për deeuroizimin, Banka e Shqipërisë vëren se përgjatë viteve të fundit, depozitat në lekë kanë mbetur pothuajse konstante ndërsa depozitat në valutë janë rritur. E kundërta ka ndodhur me kreditë. Kreditë në lekë janë më të shumta sot për shkak se interesat e kredive janë më të ulëta (ndonëse kredia në lekë vijon të jetë më e shtrenjtë).
Është e kuptueshme që nëse BSH ofron interesa më të larta për lekun, kjo nxit depozitat në lekë dhe penalizon kreditë në lekë dhe anasjelltas, nëse ofron interesa më të ulëta për lekun, kjo penalizon depozitat dhe favorizon kredinë.
Mekanizmi bazë i politikës aktuale monetare quhet “mekanizëm indirekt”. Kjo do të thotë se BSH nuk urdhëron bankat e nivelit të dytë të ofrojnë një interes minimal apo maksimal për depozitat apo për kreditë, por imponon një interes për depozitat dhe kreditë që bankat e nivelit të dytë mbajnë në bankën qendrore dhe se këto interesa ndikojnë në mënyrë indirekte në tregun e lekut.
E vetmja politikë aktualisht e zbatuar nga BSH për të nxitur përdorimin e lekut është mekanizmi i rezervës minimale të detyrueshme. Ky është një rregull që banka qendrore ia imponon bankave të nivelit të dytë, duke i detyruar të mbajnë një sasi parash të papërdorura në mënyrë që të paguajnë kërkesat e qytetarëve për tërheqje depozitash. BSH thotë se e ka ulur kërkesën për rezervë të detyrueshme për lekun nga 10% që ishte më parë në 7.5% ndërsa e ka rritur për valutën, nga 10% në 12.5%. Ky është një mekanizëm në dukje real. Duke favorizuar përdorimin e lekut nga bankat, këto të fundit do të kenë interes teorik të joshin qytetarët me interesa më të larta të depozitave në lekë dhe anasjelltas, i shtyn bankat të ofrojnë interesa më të ulëta për depozitat në euro. Problemi është që interesat e depozitave si në lekë ashtu edhe në euro janë sot thuajse-zero. Bankat ofrojnë aspak interes për depozitat tashmë prej disa vitesh. Në kushtet kur interesat e depozitave janë zero, mekanizmi i nxitjes së depozitave në lekë nuk funksionon. Edhe nëse, fjala vjen, bankat do të priren të ofrojnë interes për depozitat në lekë, jo zero por 0.5%, kjo sërish vështirë se do të sjellë ndonjë ndryshim real. Shqiptarët kur i marrin kursimet e tyre në euro, duhet fillimisht t’i këmbejnë në lekë. Vetëm konvertimi mbart një kosto që në rastin më të mirë është 0.5% e shumës së këmbyer në agjencitë e këmbimit valutor dhe 2-6% në bankat e nivelit të dytë. Vështirë se ndokush do të ketë nxitje të konvertojë kursimet e veta në lekë me perspektivën se do të marrë një interes fare pak më të lartë se sa po t’i mbajë në euro.
Në thelb, BSH dhe autoritetet e tjera duhet të mendojnë jo thjeshtë për shkallën e lartë të euroizimit të ekonomisë, por për shpartallimin e çdo aftësie për të bërë politika ekonomike. Politika monetare ka mbërritur në zonën e interesave thuajsezero dhe as nuk mund t’i uli e as nuk mund t’i rrisë. Kjo tregohet edhe nga fakti që interesi bazë i BSH nuk ka ndryshuar që nga maji i vitit 2016, një vit e gjysmë më parë. Politika fiskale mund të klasifikohet si asgjë më shumë se sa “kaotike”. Ligjet e taksave kanë ndryshuar disa herë në vit, shpenzimet e buxhetit kanë kërcyer nga shumë të ulëta në shumë të larta brenda pak muajve.
Trajtimi i problemit të euroizimit në kushtet e mungesës së mekanizmave bindës për të ndërhyrë në këtë problem duket një konsum i kotë i kohës në dispozicion të diskurseve publike mbi problemet e vendit.
Flirt me praktika autoritariste
Guvernatori Sejko sugjeroi të mërkurën se ideja që shqiptarëve mund t’u ndalohet të bëjnë transaksione drejtpërsëdrejti në euro “mund të diskutohet më vonë”. Një fjali e tillë e paqartë por që duhet të shkaktojë me të vërtetë alarm mes qytetarëve, gjendet edhe te i ashtuquajturi “Memorandum” mes BSH, MF dhe AMF. Aty, Ministria e Financave flet për “veprime të politikës fiskale dhe përmirësime të tjera ligjore”.
Ideja se autoritetet mund të ndërhyjnë një ditë për të ndaluar kontratat apo transaksionet në euro, qoftë kjo edhe në nivel ideje, duhet të konsiderohet nga shqiptarët e papranueshme. Kjo do të thotë që nëse një shqiptar ka kursyer euro në emigrim për të blerë një shtëpi në atdhe, do të detyrohet t’i këmbejë këto para në lekë, të humbasë një pjesë të tyre në kurs këmbimi, për të paguar shtëpinë në lekë, ndërkohë që shitësi do të detyrohet nga ana e tij të këmbejë këto para sërish në euro, duke humbur sërish në këmbim, për të paguar, fjala vjen, importe lëndësh të para për ndërtim apo mallra të tjerë. Të vetmet që do të fitojnë nga një masë e tillë janë ndërmjetësit financiarë.
Jo shumë shqiptarë janë të vetëdijshëm për faktin se liria për të zgjedhur monedhën me të cilën ne bëjmë biznes, shesim apo blejmë dhe mbajmë depozita apo kredi është një nga ndryshimet më të rëndësishme që solli demokracia. Ndalimi i të drejtës për të paguar apo për të marrë pagesa në monedhë të ndryshme nga leku përbën një masë diktatoriale, e cila vështirë se do të nxisë deeuroizimin nga njëra anë, dhe do t’i kushtojë shqiptarëve shtrenjtë në formën e komisioneve të kursit të këmbimit.