Pavarësisht se Gjermania, një ndër vendet qendrore të Bashkimit Evropian e konsideron reformën zgjedhore një kusht për hapjen e negociatave në qershor, politika shqiptare duket se nuk do të japë prova konkrete në këtë drejtim brenda afatit.
Raportuesi për Shqipërinë në Bundestagun gjerman, Thorsten Frei tha se reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda majit, në mënyrë që të ketë kohë për vënien e saj në jetë, e po ashtu për të bindur Gjermaninë të votojë pro hapjes së negociatave.
Por në të njëjtën ditë, Komisioni i Posaçëm për reformën zgjedhore miratoi planin e punës, ku siç shihet në dokumentin e siguruar nga Report TV, parashikohet që faza e dytë të nisë pas shtatorit, pra, shumë larg pritshmërisë gjermane, dhe pasi të jetë marrë vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë.
Në pikën e dytë të programit të punës, aty ku flitet për votën e emigrantëve, thuhet se pas dokumentit përfundimtar të analizës, Komisioni i Posaçëm do të vijojë me strategjinë e zbatimit në fazën e dytë të punës së komisionit, specifikuar në sesionin e dytë, pas shtatorit.
Në programin e punës së komisionit, drejtuar nga Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi, janë përcaktuar 5 pika: Teknologjia në zgjedhje, kërkesë themelore e PD-së, votimi i emigrantëve, pika ku këmbëngul më tepër PS, burimet financiare të fushatës, regjistri i zgjedhësve dhe përdorimi i administratës në zgjedhje.
Në seancën dëgjimore me shoqërinë civile që operon në fushën zgjedhore, u kërkua depolitizim i komisioneve zgjedhore, çështje për të cilën nuk ka ndonjë vullnet të dukshëm apo të shprehur në mënyrë përfundimtare nga palët politike.